(VIDEO) Mexhiti: Inspektorët po e masin cilësinë e ajrit

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti ka njoftuar se zjarri që shpërtheu ditën e djeshme në objektin e riciklimit të baterive dhe mbeturinave elektronike në Trubarevë pas 15 orësh përpjekje është shuar. Mexhiti tha se inspektorati nga Ministria e Mjesidit Jetësor, laboratori dhe inspektorate të tjera janë angazhuar në matjen e cilësisë së ajrit. Ai tha se janë marrë të gjitha masat dhe po punohet për të qartësuar se si është shkaktuar zjarri.
IZET MEXHITI, MINISTËR I MJEDISIT JETËSOR DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR(3:12)
“Zjarri që shpërtheu dje në objektin për riciklim të baterive dhe mbeturinale elektronike në fshatin Trubarevë është plotësisht i shuar dhe i lokalizuar, lufta zgjati më shumë se 15 orë dhe ekipet nga shumë institucione me një angazhim intensiv dhe të koordinuar arritën ta parandalojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Objekti në Trubarevë posedon leje valide për menaxhimin e mbeturinave e lëshuar nga ministria në vitin 2021 me vlefshmëri deri në vitin 2031”.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov duke folur për shkaqet e zjarrit tha se sipas tij, ky është një sulm hibrid ndaj Qeverisë.
STOJANÇE ANGELLOV, DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROTJE DHE SHPËTIM
“Nga ajo që kam si informacion nga pronari, për të ndezur një zjarr të kësaj shkalle, kërkohet përpjekje serioze. Djegia spontane nuk fillon me një intensitet kaq të fortë. Që nga viti 1991, kur u regjistrova në fakultet, kam qenë pjesë e sistemit të sigurisë së shtetit, kam bërë shumë gjëra dhe sipas perceptimit tim, tani qëndroj pas faktit se ky është një sulm hibrid ndaj Qeverisë, një sulm me zjarrvënie”
Ndërkaq mbrëmë në një konferencë të jashtëzakonshme ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski njoftoi se janë zhvilluar diskutime me tre persona që janë pronarë apo udhëheqës të objektit të djegur me qëllim përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.
Zjarri i madh i cili shpërtheu ditën e djeshme në Trubarevë shkaktoi aromë të keqe e cila u ndje në tërë qytetin e Shkupit edhe më gjërë. Reagimet e qytetarëve në rrjete sociale ishin të shumta të cilët ankoheshin për ndotje të ajrit, aromë të keqe, shumë tym dhe vështirësi në frymëmarje.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/