(VIDEO) Osmani dhe Rojkind prezantuan projektin “Vizioni Çair 2040”

Në Muzeun e Artit Bashkëkohor, kandidati për kryetar në komunën e Çairit, Bujar Osmani, dhe arkitekti meksikan Michel Rojkind mbrëmë prezantuan projektin “Vizioni Çair 2040”. Osmani tha se me këtë plan, Çairi merr një vizion të qartë dhe afatgjatë, një strategji dhe një plan zhvillimi që vendos në radhë të parë nevojat e qytetarëve.
Bujar Osmani, kandidat për kryetar në komunën e Çairit
“Nuk themi se kjo është program parazgjedhor që ne do ta kryejmë me një mandat, prandaj i tejkalon kornizat e mandateve politike, mirëpo nëse qytetarët e aprovojnë këtë vizion më 19 tetor, ajo do të thotë se ne kemi marrëveshje sociale me qytetarët për vizionin për Çairin, edhe i hymë kësaj pune dhe çdo hap, çdo gurë që e lëvizim, çdo ditë, do të jetë në kuadër të këtij vizioni”.
Ndërkaq, arkitekti meksikan Michel Rojkind, i njohur për projektet e tij në metropole botërore, deklaroi se Çair 2040 nuk është një plan i fiksuar, por fillimi i një udhëtimi kolektiv. Rojkind mendon se Çairi bart shekuj me histori, dhe se ky vizion njeh plagët e së kaluarës dhe presionet e së tashmes.
Michel Rojkind, arkitekt meksikan
“Një nga më të vështirat do të jenë rrugët, sepse rrugët krijojnë kaos. Kur i rregulloni rrugët, por kur ke një apo dy shembuj, ka një lloj arritje, të shpresës, për të shkuar përpara. Ka ndodhur në Shqipëri. Për këtë flas për fqinjët tuaj, sepse tashmë po ndodh atje. Ky model nuk është diçka që shohim nëse do të funksionojë, tashmë funksionon”.
Ai thotë se çdo pengesë bart brenda saj farën e transformimit, sepse lëvizshmëria mund të kthehet në lidhje, Çarshia në një zemër të gjallë, Sheshi Skënderbeu në një skenë qytetare të vërtetë, ndërsa dendësia në një mundësi për t’ia rikthyer tokën gjelbërimit.
Anida Murati /SHENJA/