(VIDEO) Zgjedhjet lokale, sot skadon afati për të dorëzuar kandidaturat

Sot skadon afati për të dorëzuar kandidaturat për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave në Komisionet Zgjedhore Komunale. Ata që dëshirojnë të kandidojnë në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, të caktuara për 19 tetor, do të mund të paraqesin kandidaturat e tyre për kryetar komune dhe listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit përmes propozuesve të tyre të autorizuar deri në mesnatë në hapësirat e Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit
Ndonëse nuk ka nisur zyrtarisht fushata, është duke u zhvilluar një garë e fortë ndërmjet partive politike në promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash. Në kampin politik shqiptar, gara më e madhe tashmë po zhvillohet në komunën e Çairit në të cilën po garojnë Izet Mexhiti nga VLEN dhe Bujar Osmani nga AKI. Dy kandidatët po zhvillojnë takime të përditshme me qytetarët, duke e shndërruar Çairin në pasqyrë ku do të shihet fituesi ose humbësi i zgjedhjeve lokale në nivel të vendit. Në Saraj kandidojnë Blerand Ramadani nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Muhamed Elmazi nga VLEN, dy kandidatë të rinj të cilët janë vlerësuar për realizimin e një fushate dinjitoze, duke shfaqur projeket e tyre pa u përqendruar në akuza për kundërshtarin.
Në Gostivar, po zhvillohet gara ndërmjet kryetarit aktual Valbon Limani, atij të VLEN-it, Sebaedin Dauti dhe kandidatit të pavarur, Visar Ademi. Në Tetovë kandidojnë Bilall Kasami nga VLEN dhe Bajram Rexhepi nga AKI.
Në zgjedhjet lokale të 19 tetorit do të garojnë edhe 69 kandidatë të pavarur në 38 komuna. Numri më i madh i kandidatëve të pavarur është regjistruar në Prilep, ku do të garojnë 7 kandidatë, ndërsa nga pesë kandidatë të pavarur do të garojnë në Shkup, Strugë dhe Demir Hisar.
Fushata për zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të fillojë më 29 shtator. Rrethi i parë i zgjedhjeve është më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor. Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 80 komuna dhe qyteti i Shkupit.
Zgjedhjet do të vëzhgohen nga institucione dhe organizata vendase si dhe të huaja. Ndër to edhe 14 vëzhgues të misionit të ODIHR-it do t’i monitorojnë Zgjedhjet Lokale të vitit 2025.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/