Kasami prezanton Albi Qamilin si bartës të listës së VLEN-it në Tetovë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka prezantuar zyrtarisht Albi Qamilin si bartës të listës së koalicionit VLEN për zgjedhjet e ardhshme lokale në këtë komunë.
Qamili, një emër i njohur në skenën publike të Tetovës, vjen nga fusha e shkencave politike dhe aktualisht ndjek studimet pasuniversitare në drejtimin e së Drejtës Kushtetuese. Gjatë viteve të fundit, ai është angazhuar në mënyrë aktive në çështje shoqërore, nisma rinore dhe debate qytetare, duke u shquar si një zë i rëndësishëm i të rinjve dhe aktivizmit lokal.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit, kryetari Kasami vlerësoi energjinë dhe vizionin e Qamilit, duke e cilësuar atë si përfaqësuesin ideal të gjeneratës së re të të rinjve të angazhuar politikisht.
“Me Albin bartës të listës, koalicioni VLEN sjell energjinë e ndryshimit dhe garanton që të rinjtë të kenë zërin dhe vendin e merituar në politikën lokale,” u shpreh Kasami.
Emërimi i Qamilit shihet si një hap drejt përfshirjes më të gjerë të të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe një përpjekje për të sjellë freski dhe dinamizëm në skenën politike të Tetovës.