Aliu: Teknologji të reja për akses më të drejtë dhe më të shpejtë në kujdesin shëndetësor

Aliu: Teknologji të reja për akses më të drejtë dhe më të shpejtë në kujdesin shëndetësor

Qytetarët sot janë më të përgatitur teknologjikisht se kurrë më parë, që është bazë dhe detyrim për pjesëmarrje më të madhe dixhitale në sistemin shëndetësor, tha ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në panelin mbi dixhitalizimin dhe teknologjitë e reja në kujdesin shëndetësor, i cili mbahet në kuadër të Kongresit të 21-të të Mjekëve, në organizim të Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se paneli theksoi nevojën për ndërveprim të plotë të sistemeve dhe shkëmbim të të dhënave, përdorim më të madh të mjeteve ekzistuese për analiza dhe parashikime të nevojave, krijimin e një rrjeti kombëtar radiologjik (PACS) dhe projekteve pilot për telemjekësinë, si dhe bashkëpunim global me nismat evropiane dhe ndërkombëtare.

“Qëllimi ynë janë zgjidhje të thjeshta dhe praktike që do t’u sjellin përfitime të drejtpërdrejta pacientëve: qasje më të lehtë në të dhëna, informacion në kohë dhe siguri se të dhënat e tyre janë të mbrojtura. Sistemi “Termi Im”, aplikacioni “Shëndeti Im” dhe rrjetet e ardhshme kombëtare të radiologjisë dhe telemjekësisë janë një hap përpara në atë drejtim. Unë besoj se duke rritur ndërveprimin, analizën e të dhënave dhe zbatimin e teknologjive të reja, do të krijojmë një sistem shëndetësor më efikas dhe të drejtë”, tha ministri Aliu.

Në panel mori pjesë edhe Dalibor Fruniq, drejtor ekzekutiv i SORSIKS dhe ekspert në shëndetin dixhital, i cili, sipas njoftimit për kumtesën, vlerësoi se dixhitalizimi i kujdesit shëndetësor në Maqedoni është në nivel botëror. “Të dhënat që ekzistojnë janë një thesar që do të mundësojë hapa të avancuar në inteligjencën artificiale dhe ‘data-driven decisionmaking’, në dobi të sistemit dhe praktikës klinike”, deklaroi Fruniq.

Ministria e Shëndetësisë thekson se mbetet e përkushtuar për krijimin e një sistemi dixhital modern që i vendos pacientët në qendër të kujdesit shëndetësor.

MARKETING