Tërmet 7.4 ballë në lindje të Rusisë, lëshohen paralajmërime për cunami

Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor ka lëshuar një paralajmërim urgjent për cunami, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter goditi brigjet lindore të Gadishullit Kamçatka në Lindjen e Largët të Rusisë.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA (USGS), tërmeti ndodhi rreth 111 kilometra në lindje të qytetit Petropavlovsk-Kamçatsky, kryeqyteti i rajonit, në një thellësi prej 39.5 kilometrash.
Ngjarja rikthen kujtimet e korrikut të këtij viti, kur një ndër tërmetet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë goditi të njëjtin rajon, duke shkaktuar valë cunami deri në 4 metra në disa pjesë të Paqësorit dhe duke nxitur evakuime masive nga Hawaii në Japoni.
Deri tani nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale, por banorët në zonat bregdetare janë këshilluar të largohen drejt vendeve më të larta dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Qendra e Paralajmërimit për Cunami ka paralajmëruar se valët e mundshme të cunamit mund të arrijnë brigjet e rajoneve përreth brenda pak orëve, duke përfshirë pjesë të Alaskës, Japonisë dhe ishujve të Paqësorit.