VLEN pyet Osmanin: Ku u “avulluan” 700 mijë eurot nga furnizimi i dyshimtë?

VLEN pyet Osmanin: Ku u “avulluan” 700 mijë eurot nga furnizimi i dyshimtë?

Koalicioni VLEN, dega në Çair, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, duke akuzuar ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për heshtje ndaj dyshimeve të ngritura rreth një shume prej mbi 700 mijë eurosh, të cilat dyshohet se janë keqpërdorur gjatë organizimit të Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup, në dhjetor të vitit 2023.

“Kanë kaluar më shumë se 24 orë dhe ish-ministri Osmani vazhdon të hesht. Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje, asnjë sqarim për 700 mijë eurot që janë zhdukur nga një furnizim i dyshimtë me automjete për një konferencë dyditore,” – deklaroi Arbër Kadriu nga VLEN-Çair.

Afera e makinave me çmime të trefishta

Sipas VLEN-it, Ministria e Punëve të Jashtme, në kohën kur drejtohej nga Osmani, ka lidhur një kontratë në vlerë prej 56.640.000 denarësh (rreth 920 mijë euro) për marrjen me qira të automjeteve për konferencën e OSBE-së. Çmimet e kontraktuara ishin dukshëm më të larta krahasuar me ofertat e mëparshme të së njëjtës kompani:

29.000 denarë në ditë për automjete VIP

23.000 denarë për automjete të klasës së mesme

19.200 denarë për automjete 8+1

Këto çmime, sipas të dhënave të VLEN-it, ishin trefish më të larta se ato të ofruara nga i njëjti operator vetëm një muaj më herët për shërbimet e përditshme të MPJ-së – ku automjetet VIP me shofer kushtonin vetëm 9.500 denarë në ditë.

Kush përfitoi nga diferenca?

VLEN kërkon përgjigje të drejtpërdrejta:

Kush përfitoi nga diferenca prej mbi 700 mijë eurosh?

A janë përvetësuar këto fonde?

Pse mungoi transparenca në këtë proces?

Kush i miratoi këto çmime të fryra?

“Ky nuk është një gabim administrativ, por një skemë e pastër korrupsioni. Në kontratë nuk ka pasur asnjë mekanizëm kontrolli për të verifikuar se sa automjete u përdorën, çfarë tipi ishin dhe për sa ditë u angazhuan. Mungesa e transparencës është e qëllimshme,” – theksoi Kadriu.

Revizioni dhe hetimet

Enti Shtetëror i Revizionit tashmë ka konstatuar parregullsi serioze në këtë proces dhe rasti është dorëzuar në Prokurorinë Publike. Megjithatë, për VLEN-in kjo nuk mjafton. Sipas tyre, qytetarët kanë të drejtë të marrin përgjigje të qarta dhe të drejtpërdrejta, ndërsa heshtja e ish-ministrit Osmani është interpretuar si pranim i përgjegjësisë morale dhe politike.

“Qytetarët nuk do të lejojnë më këtë kulturë të mosllogaridhënies. Transparenca është detyrim, jo zgjedhje,” – përfundoi VLEN-Çair.

MARKETING