(VIDEO) Afera e përgjimeve – Mickoski ndryshon narrativën, Filipçe akuzon për fshehje të së vërtetës

Aferat e përgjimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski të cilat kanë qenë cak i diskutimeve dhe debateve të shumta në skenën politike ditëve të fundit, kanë përplasur kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kreun e LSDM-së opozitare Venko Filipçe. Filipçe nga foltorja e kuvendit në pyetjen e drejtuar Mickoskit tha se ky i fundit brenda shumë pakë ditëve ka dhënë deklarata kontradiktore. Ai tha se në fillim vetë kryeministri kishte thënë se është përgjuar dhe ndjekur, ndërkaq ditën e djeshme në deklaratën e tij tha se ka qenë i përfshirë në mënyrë indirekte. Filipçe pyeti publikisht Mickoskin se pse nuk lejon që të deklasifikohen dokumentet në mënyrë që në opinioin të bëhet e qartë se për çfarë përndjekjesh bëhet fjalë.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“E gjithë kjo ka filluar nga tregimi juaj se jeni ndjekur dhe përgjuar, ndërsa ju ditën e djeshme deklaruat se nuk keni qenë të ndjekur në mënyrë direkte por indirekte. Tani lindin shumë pyetje, e para është se a ka pasur keqpërdorime dhe a keni qenë i përgjuar ju si lider i atëhershëm I partisë opozitare, apo a janë ndjekur njerëz të tjerë apo grupe me të cilët ju atëherë keni komunikuar. Mendoj që nuk është e përshtatshme që deputetëve të cilët e kanë obligim ligjor mbikqyrjen e Agjencisë për siguri kombëtare nuk u është lejuar ta kryejnë punën e tyre nën arsyetimin se në prokurori ka filluar procedura parahetimore, duke pasur parasysh se ato janë persona që kanë certifikata sigurie. Pse nuk lejoni që të deklasifikohen këto dokumente që opinioni të kuptojë të vërtetën?
Ndërkaq kryeministri Hristijan Mickoski duke shprehur qëndrimin e tij tha se nuk është ai kompetent për deklasifikimin e dokumenteve të tilla por është vetë ASK-ja dhe se ai ka qasje tek ato dokumente për shkak se posedon certifikatë të lartë të sigurisë. Mickoski tha se nëse prokuroria e kryen punën në mënyrën e duhur e vërteta do të dalë në shesh.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Çfarë mendoni? Unë për arsye ekspozuese do të dal këtu dhe do të them se dikush më ka ndjekur për shkak që të mar vëmendje, të defokusoj tema? Do ta shihni me kalimin e kohës nëse prokuroria do ta kryejë punën siç duhet se kush ka qenë i ndjekur, si ka qenë i ndjekur. Unë nuk jam ai që lejoj që të klasifikohet apo mos klasifikohet diçka zotëri Filipçe, ka institucione të tjera që e bëjnë atë dhe është normale nga ato institucione unë të informohem se çka përmbajnë ato dokumente sepse jam bartës i certifikatës për sekretet më të larta shtetërore. Problemi më i vogël është që unë kam qenë i përfshirë, anëtarë të qeverisë suaj kanë qenë të përfshirë, gazetarë dhe biznismenë kanë qenë”.
Aferat e përgjimeve të cilat kryeministri Hristijan Mickoski i bëri të ditura ditë më parë kanë tensionuar situatën në kuvend dhe më gjërë. Pas seancës së deputetëve të komisionit për mbikqyrje të punës së ASK- së, deputetët të cilët kanë certifikata të sigurisë të mërkurën dhe të ejten kanë mbikqyrur nga afër punën e ASK-së dhe AI-së por të njejtët dolën duar bosh pasi që nuk u është lejuar nga ASK-ja të kenë qasje në dokumentet e klasifikuara nën arsyetimin se dokumentet i kanë kaluar prokurorisë e cila ka nisur procedurë para-hetimore. Kjo çështje ka shkaktuar pakënaqësi tek deputetët e opozitës të cilët kanë hapur çështjen e rëndësisë dhe kuptimit të certificates së sigurisë, për të cilën thanë se cili është roli I tyre përpos që tu ofrojë qasje në dokumente të tilla të klasifikuara.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/