Ish-presidenti i Brazilit, Bolsonaro dënohet me mbi 27 vjet burg për tentativë grushti shteti

Gjykata e Lartë e Brazilit dënoi ish-presidentin Jair Bolsonaro me 27 vjet e 3 muaj burg me akuzën për “komplot me grusht shteti për të përmbysur rendin demokratik” pasi ai humbi zgjedhjet e vitit 2022, transmeton Anadolu.
Dhoma e Parë e Gjykatës së Lartë e Brazilit e shpalli Bolsonaron fajtor në gjyqin e tij për tentativë grushti shteti kundër qeverisë së presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Katër nga pesë gjyqtarët që kryesuan çështjen e shpallën Bolsonaron fajtor dhe ish-presidenti i ekstremit të djathtë u dënua me 27 vjet e 3 muaj burg.
Bolsonaro u dënua për “përpjekje për të përmbysur rendin ligjor demokratik me mjete të dhunshme, tentativë grushti shteti, anëtarësim në organizatë të armatosur kriminale dhe dëmtim të trashëgimisë publike dhe të mbrojtur”.
Sipas mediave lokale, gjykata dënoi gjithashtu Bolsonaron dhe shtatë të pandehur të tjerë me burgim që varionin nga 2 deri në 26 vjet. Mediat braziliane po i përshkruajnë gjyqet dhe vendimin kundër Bolsonaros si “historike” sepse asnjë ish-president nuk është dënuar në historinë e Brazilit për akuza kundër institucioneve demokratike në mënyrë të ngjashme.
Kryetari i Dhomës së Parë të Gjykatës Supreme, Cristiano Zanin theksoi provat ndaj të pandehurve në një deklaratë.
“Provat tregojnë se të pandehurit synonin të përmbysnin sundimin demokratik të ligjit. Prokuroria ka përcaktuar me sukses një organizatë kriminale të organizuar hierarkikisht të fokusuar në një projekt në përdorimin e çdo metode kriminale për të siguruar mbajtjen e vazhdueshme të pushtetit të Bolsonaros”, tha ai.
Bolsonaro ka mundësi ta vuajë dënimin e tij nën arrest shtëpiak, në qeli speciale në një burg të sigurisë maksimale në Brazil ose në një kazermë.
Ngjarjet në Brazil
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 30 tetor 2022, presidenti i krahut të majtë Lula da Silva rrëzoi nga detyra ish-presidentin e ekstremit të djathtë Bolsonaro. Lula da Silva, i cili fitoi zgjedhjet, u betua në detyrë në parlament më 1 janar 2023.
Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, mbështetësit e Bolsonaros organizuan bllokime autostradash në të gjithë vendin që zgjatën me ditë të tëra. Më 8 janar 2023, ata brohoritën slogane duke kërkuar ndërhyrje ushtarake, shkelën barrierat e policisë dhe sulmuan ndërtesën e Kongresit Kombëtar.
Më 26 nëntor 2024, policia federale e Brazilit pretendoi se Bolsonaro ishte përfshirë në përpjekje të planifikuar për grusht shteti kundër qeverisë së Lula da Silva-s. Më 26 mars, Gjykata e Lartë Federale e Brazilit pranoi aktakuzën për përpjekje për grusht shteti të përgatitur nga Zyra e prokurorit kundër shtatë personave, përfshirë Bolsonaron.