Sedat Bislimi: Mjaft më me helm nga Drislla, me VLEN fillon zgjidhja për Studeniçanin

Sedat Bislimi: Mjaft më me helm nga Drislla, me VLEN fillon zgjidhja për Studeniçanin

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Studeniçanit, Sedat Bislimi, ka reaguar ashpër ndaj ndotjes së shkaktuar nga deponia e Drisllës, pas daljes së tymit të zi gjatë ditës së sotme. Ai e cilësoi këtë ngjarje si “dëshminë më të qartë të papërgjegjësisë institucionale të qytetit të Shkupit” dhe një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së veprimeve serioze nga udhëheqësit lokalë gjatë tri dekadave të fundit.

Sipas Bislimit, mbi 10 mijë banorë të Batincës dhe zonave përreth janë të ekspozuar përditë ndaj ndotjes nga kjo deponi, e cila — siç theksoi ai — nuk i plotëson as standardet më elementare të sigurisë mjedisore.

“Banorët helmohen çdo ditë nga një deponi që është kthyer në rrezik për jetën e tyre. Për 29 vite me radhë, udhëheqësit kanë dështuar jo vetëm të gjejnë zgjidhje, por edhe e kanë përdorur këtë problem për përfitime personale,” deklaroi Bislimi.

Ai njoftoi se ekipi i VLEN tashmë ka informuar Ministrinë e Ekologjisë, duke kërkuar daljen në terren të ekipeve profesionale për të analizuar situatën dhe për të marrë masa konkrete.

“Ky është hapi i parë drejt një zgjidhjeje reale. Nuk mund të presim më,” shtoi ai.

Në programin e VLEN-it, Bislimi tha se parashihet që Komuna e Studeniçanit të bëhet pjesë e komunave të qytetit të Shkupit, ose që të paktën një pjesë e kompetencave mbi menaxhimin e deponisë t’i kalojë vetë Komunës së Studeniçanit.

“Vetëm ne që jetojmë këtu e ndjejmë përditë këtë helm dhe e dimë sa e rëndë është kjo padrejtësi. Jemi të vendosur t’i japim fund këtij abuzimi dhe të kërkojmë për herë të parë një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë,” përfundoi Bislimi.

MARKETING