Qyra: Liqenet akullnajore të Labunishtit, pasuri e harruar që duhet të rilindë

Kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar një vizitë në fshatin malor Labunishtë, ku ka takuar banorë dhe ka eksploruar bukuritë natyrore të zonës. Gjatë kësaj vizite, ai ka theksuar rëndësinë e promovimit dhe zhvillimit të potencialit turistik që ofrojnë bjeshkët e Labunishtit, përfshirë edhe liqenet akullnajore.
“Pas kafes së mëngjesit me banorët e Labunishtit, ditën e vazhdova me një ecje në bjeshkët e këtij fshati historik të Strugës,” shkroi Qyra në një njoftim publik. Ai përmendi shtigjet malore, burimet e ujit të ftohtë, florën dhe faunën e pasur, si dhe traditën e vjetër të blegtorisë si elemente që duhet të jenë pjesë e një strategjie të qëndrueshme zhvillimi.
Qyra kritikoi mungesën e investimeve dhe të një vizioni të qartë për zonat malore, duke theksuar se “kjo bukuri natyrore ka mbetur e papromovuar dhe e paprekur, ndërkohë që vende të tjera do ta kishin kthyer në një krenari kombëtare të turizmit.”
Ai u zotua se promovimi i turizmit malor dhe zhvillimi i infrastrukturës për ecje, agroturizëm dhe ruajtje të trashëgimisë natyrore e kulturore do të jenë ndër prioritetet e tij nëse merr besimin e qytetarëve.