Rritet në 64.300 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Është rritur në 64.300 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli vazhdon në Rripin e Gazës.
Në 24 orët e fundit në spitalet në Gaza janë sjellë 69 palestinezë të vrarë dhe 422 të tjerë të plagosur. Të paktën 11.768 palestinezë janë vrarë dhe 49.964 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Të paktën 6 palestinezë u vranë dhe 190 të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit, në sulmet ku u shënjestruan ata që po prisnin për ndihmë humanitare.
Është rritur në 2.362 numri i personave të vrarë dhe në 17.434 i të plagosurve që nga 27 maji në sulmet sistematike që shënjestrojnë palestinezët në të ashtuquajturat pika shpërndarjeje të ndihmave në Gaza, të drejtuara nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 64.300 ndërsa numri i të plagosurve në 162.005.
Bëhet e ditur se mijëra të vdekur ndodhen ende nën rrënoja në Rripin e Gazës.
– Në ditën e fundit nga uria kanë vdekur 6 persona të tjerë
Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh, në një deklaratë me shkrim tha se në 24 orët e fundit nga uria dhe kequshqyerja kanë vdekur 6 persona të tjerë, përfshirë 3 fëmijë.
Ai theksoi se numri i njerëzve që kanë vdekur nga uria që nga 7 tetori 2023 e deri më tani në Rripin e Gazës është rritur në 370, prej të cilëve 131 janë fëmijë.