Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon: Portat e ferrit janë hapur në qytetin e Gazës

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz deklaroi se “portat e ferrit janë hapur” në qytetin e Gazës dhe kërcënoi se do të intensifikojnë sulmet për të pushtuar qytetin, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të lëshuar në platformën sociale të kompanisë amerikane X, ministri Katz kërcënoi se ushtria izraelite në kuadër të sulmeve të saj pushtuese do të sulmojë për herë të parë një ndërtesë të lartë në Gaza.
“Portat e ferrit po hapen në Gaza”, tha Katz duke shtuar se Hamasi ose do të pranojë dorëzimin e armëve dhe lirimin e të gjithë pengjeve, kushte këto që Izraeli ka pretenduar për t’i dhënë fund sulmeve të tij ose Hamasi do të “eliminohet”.
“Kur portat të hapen, ato nuk do të mbyllen dhe sulmet e ushtrisë izraelite do të intensifikohen”, tha Katz duke shtuar se ata do të kryejnë sulme të dhunshme në qytetin në të cilin ndodhen një milion palestinezë.
– Ushtria izraelite po rrit sulmet e saj në qytetin e Gazës
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee tha në platformën sociale të kompanisë amerikane X se ata do të zgjerojnë fushëveprimin e sulmeve të tyre që kryejnë për pushtimin e qytetit të Gazës.
Ai theksoi se ata do të fillojnë të kryejnë sulme të dhunshme ndaj ndërtesave në qytet. Duke përmendur sulmet që do të kryejnë si arsye për pushtimin, Adraee kërkoi që palestinezët të cilët janë zhvendosur disa herë të largohen nga qyteti.
Ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj intensive në lagjet periferike Zeitoun dhe Sabra të qytetit të Gazës, të cilat më 29 gusht i shpalli “zonë të rrezikshme konflikti”.
– Izraeli vendosi të pushtojë qytetin e Gazës
Më 8 gusht, Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës në pjesën veriore të rajonit.
Sipas planit, në fazën e parë, afërsisht 1 milion palestinezë do të zhvendosen në jug, qyteti do të rrethohet dhe pas sulmeve intensive, ai do të pushtohet.
Faza e dytë parashikon pushtimin e kampeve të refugjatëve në qendrën e qytetit të Gazës, kryesisht të rrënuar.
Izraeli e pushtoi Rripin e Gazës për 38 vjet, nga viti 1967 deri në vitin 2005. Sot, Rripi i Gazës, ku jetojnë afërsisht 2.3 milion palestinezë, ka qenë nën bllokadë të rëndë për 18 vjet.