Мickoski: Përgjimi nga ASK nuk është goditje ndaj meje dhe gazetarëve, por ndaj demokracisë, së drejtës për liri dhe themeleve të shtetit

Мickoski: Përgjimi nga ASK nuk është goditje ndaj meje dhe gazetarëve, por ndaj demokracisë, së drejtës për liri dhe themeleve të shtetit

Kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se përgjimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK) nuk është sulm vetëm ndaj tij dhe gazetarëve, por ndaj demokracisë, ndaj të drejtës për liri, ndaj themeleve të shtetit.

“Shteti ynë po përballet me një skandal të ri – përgjim të paligjshëm dhe keqpërdorim masiv të sistemit gjatë viteve të fundit. Unë personalisht, atëherë si kryetar i partisë më të madhe opozitare, e sot si kryeministër, bashkë me gazetarë, media, biznesmenë dhe figura publike kemi qenë viktima të sistemit që i ka përgjuar qytetarët e vet. Ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj të drejtës për liri, ndaj themeleve të shtetit. Dua të përcjell një mesazh: Nuk do të ketë drejtësi selektive. Do të ketë përgjegjësi. Do të ketë zgjidhje ligjore. Populli ynë për shumë kohë ka qenë viktimë e keqpërdorimeve, e skemave korruptive dhe e qendrave të fshehta të pushtetit. Koha e të paprekshmëve ka përfunduar”, tha Mickoski në fjalimin në Takimin tematik për Partneritet për qeverisje të hapur, që u mbajt në Qeveri.

Pikërisht për këtë, tha Mickoski, Partneriteti për qeverisje të hapur është përgjigje e jona e përbashkët.

“Sepse aty ku ka dritë, nuk ka vend për hije. Kur institucionet janë të hapura dhe llogaridhënëse, nuk ka vend për keqpërdorime, as për kërcënim të lirisë dhe demokracisë. Ky takim është dëshmi që ne nuk ikim nga problemet – ne i zgjidhim ato. Ne nuk kemi frikë nga sfidat – ne i kapërcejmë ato. Vizioni ynë është të ndërtojmë një shtet me institucione të forta, administratë moderne, shërbime digjitale të aksesueshme për çdo qytetar, me një ekonomi në rritje dhe një shoqëri që beson në demokraci. Besoj se bisedat e sotme do të na ndihmojnë të shfrytëzojmë potencialin e qeverisjes së hapur jo vetëm si politikë, por si një kulturë qeverisjeje”, tha ai.

Detyra jonë është, tha kryeministri, të krijojmë një sistem që të jetë transparent, i drejtë dhe efikas, një sistem që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe i cili do ta kthej dinjitetin e interesit publik.

“Sot dërgojmë një mesazh të qartë: Maqedonia qëndron fuqishëm në rrugën e reformave, të integrimit evropian dhe luftës kundër korrupsionit. Dhe nga ajo rrugë nuk ka kthim pas”, potencoi kryeministri Mickoski.

MARKETING