BDI: VLEN premtoi Europën, solli “Botën Serbe”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka lëshuar një deklaratë të ashpër ndaj qeverisjes së koalicionit VLEN, duke e akuzuar për dështim të thellë në përmbushjen e premtimeve për ndryshimet kushtetuese dhe për devijim nga kursi evropian i vendit.
Sipas BDI-së, premtimet fillestare të VLEN-it për realizimin e ndryshimeve kushtetuese “para formimit të Qeverisë” janë zëvendësuar me afate të paqarta dhe justifikime të vazhdueshme. “Fillimisht premtuan ndryshimet kushtetuese para formimit të Qeverisë, më pas brenda 100 ditëve, pastaj në tre muaj dhe në fund gjashtë. Sot, pas një viti, shqiptarët dëgjojnë vetëm arsyetime nga Izet Mexhiti dhe bashkëpunëtorët e tij se ‘koha nuk ka mjaftuar’,” thuhet në deklaratë.
BDI shprehet se mungesa e rezultateve nuk është çështje kohe, por “mungesë vizioni, guximi dhe vullneti politik”.
Në reagimin e tyre, VLEN akuzohet për hapje të rrugës ndaj ndikimeve të dëmshme nga Beogradi dhe Moska, duke minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe duke rrezikuar të ardhmen evropiane të vendit.
“Në vend të rrugës drejt BE-së, sollën partnerë që promovojnë ‘Botën Serbe’, ndërsa përfaqësimin e shqiptarëve e zbehën duke emëruar Ivan Stoilkovic zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit,” vijon deklarata.
BDI rendit një sërë premtimesh të pambajtura nga ana e VLEN-it:
-
2500 vende pune të premtuara – të papërmbushura;
-
mbështetje financiare për të rinjtë – zero realizim;
-
projekte kombëtare – të zëvendësuara me aleanca të diskutueshme politike.
Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, citohet në komunikatë duke theksuar se shmangia nga temat e integrimit dhe refuzimi i monitorimit evropian janë pjesë e një strategjie për të “fshehur korrupsionin dhe dështimet” e qeverisë.
Në përmbyllje, BDI deklaron se muaji tetor do të jetë vendimtar, duke u bërë thirrje qytetarëve që përmes referendumit të refuzojnë atë që e cilësojnë si “mashtrim politik dhe turp kombëtar”. “Qytetarët meritojnë përfaqësim dinjitoz dhe vizion të qartë europian – jo premtime boshe dhe shërbime ndaj interesave të huaja. Askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë politike dhe juridike,” përfundon deklarata.