ASH: Fushata e VLEN-it e dështuar – Refuzimi i shqiptarëve, mesazh i qartë për vazalët e Mickoskit

ASH: Fushata e VLEN-it e dështuar – Refuzimi i shqiptarëve, mesazh i qartë për vazalët e  Mickoskit

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me tone kritike ndaj mënyrës se si po zhvillohet fushata e koalicionit qeverisës VLEN, duke e cilësuar atë si një “turizëm politik” që, sipas tyre, ka degraduar në një demonstrim të dështimit të qeverisjes dhe mungesës së mbështetjes qytetare.

Në reagimin e publikuar, Aleanca për Shqiptarët thekson se aktivitetet e fundit të VLEN-it – përfshirë hapjen e shtabeve zgjedhore dhe takimet në terren – po zhvillohen pa praninë apo interesin e qytetarëve, ndërsa pjesëmarrës janë kryesisht anëtarë të strukturave partiake.

“VLEN po udhëton nga një vendbanim në tjetrin me delegacione të brendshme, duke dëgjuar njëri-tjetrin. Hapësirat ku zhvillohen takimet mbeten bosh dhe pa jehonë publike,” thuhet në reagimin e Aleancës.

Sipas saj, kjo situatë është tregues i një fushate monotone, e shkëputur nga realiteti dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë, të cilët – sipas partisë – tashmë kanë shprehur hapur zhgënjimin e tyre përmes sondazheve dhe reagimeve publike.

“Fushata e tyre mobile është një teatër i përsëritur. Të njëjtat fytyra në çdo vendbanim, njësoj si pllakatat e maturantëve të vitit të kaluar – pa shpirt, pa frymë dhe pa lidhje me realitetin,” vijon deklarata.

Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se data 19 tetor do të jetë një moment vendimtar, kur – sipas tyre – do të pasojë “përgjigjja e qytetarëve dhe dorëheqjet e para nga krerët e VLEN-it”.

Në fund të reagimit, VLEN-i akuzohet për bashkëpunim të dëmshëm me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërsa theksohet se shqiptarët “nuk do të tolerojnë më vasalitet apo tradhti politike”.

MARKETING