(VIDEO) Partitë përplasen rreth rritjes së pagave

(VIDEO) Partitë përplasen rreth rritjes së pagave

Kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur lidhur me akuzat e LSDM-së se politika ekonomike e VMRO-së është më e keqja në gjithë historinë e vendit, ka deklaruar se nga koha e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së rritja reale e pagës neto që e marrin të punësuarit në vend është 6.5 %, ndërsa gjatë kohës së qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së rritja e saj ishte rreth 3,5 %.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

Matematikisht, por edhe nga çdo këndvështrim, 6,5 % është pothuajse dyfish më shumë se 3,5%. Qasja selektive dhe ky lloj politike e LSDM-së solli rezultate në Maqedoni, siç ishim dëshmitarë gjatë shtatë viteve të kaluara katastrofale dhe shkatërruese. Por ajo që është më e rëndësishme dhe këshilla ime për udhëheqësinë e LSDM-së, është se ata me këtë qasje selektive e shkatërruan edhe vetë partinë e tyre”.

Ndërkaq sot nga LSDM sërish kanë vazhduar me akuzat e tyre rreth keq-qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska tha se përderisa qytetarët mezi ia dalin mbanë qeveria u thotë se “nuk kemi shkop magjik”.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

Shporta minimale sindikale është rritur për gati 5,000 denarë, vetëm në një vit, në të njëjtën kohë, paga minimale është rritur vetëm për 1,800 denarë. Perimet janë bërë më të shtrenjta për 63.3%, ndërsa frutat për 33% vetëm në një vit. Inflacioni është 4.8% dhe po gërryen të ardhurat e qytetarëve. Pagat reale në qershor janë rritur vetëm për 3.8%, ndërsa me masat e LSDM-së rritja ishte mbi 11%”.

Përderisa vendi çdo ditë e më shumë po thellohet në varfëri, kushtet e dobëta ekonomike, pagat e ulëta dhe çmimet e larta, po e rëndojnë jetesën e qytetarëve, kryeministri i vendit “lavdërohet” se paga neto gjatë qeverisjes së tij është rritur për 6%, e cila nuk ndjehet aspak nga ana e popullit. Partitë në pushtet dhe ato opozitare për çdo ditë garojnë me njëra tjetrën se cila e ka shkatëruar vendin më shumë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING