VLEN: Taravari, paterica e re e BDI-së ‘non grata’

VLEN: Taravari, paterica e re e BDI-së ‘non grata’

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj Arben Taravarit, duke e akuzuar se ka braktisur parimet dhe është rreshtuar krah Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilën VLEN e cilëson si parti të dështuar dhe të refuzuar nga shumica e shqiptarëve në zgjedhjet e fundit.

Në një komunikatë, VLEN e përshkruan Taravarin si “turpin më të madh politik të shqiptarëve në Maqedoni”, duke theksuar se ai ka kaluar nga retorika për ndryshim në bashkëpunim me strukturat që, sipas tyre, kanë mbajtur peng shqiptarët për më shumë se dy dekada.

“Nga njeriu që fliste për ndryshim, ai u shndërrua në shërbëtor të Ali Ahmetit dhe Artan Grubit, duke u kthyer në patericë të BDI-së ‘non grata’, partisë më të korruptuar dhe më të urryer nga shqiptarët”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

VLEN akuzon Taravarin për “pazare personale” dhe përfshirje në marrëveshje të dyshimta, përfshirë rastin e investimit të ashtuquajtur “Gjoka”, që sipas tyre zbulojnë fytyrën e tij të vërtetë si politikan i motivuar nga interesa private.

Në komunikatë thuhet më tej se bashkëpunimi i Taravarit me BDI-në është tradhti ndaj kauzave për të cilat ai vetë ka bërë fushatë, dhe se veprimet e tij janë në kundërshtim me vullnetin e shprehur të shqiptarëve më 8 maj, kur BDI-ja u ndëshkua në mënyrë të qartë nga elektorati.

“VLEN u themelua për ta shkulur nga rrënjët këtë mentalitet të vjetër, të kalbur e të shitur”, thekson më tej deklarata.

“Sot e themi qartë: Arben Taravari është simbol i tradhtisë politike dhe vazal i BDI-së ‘non grata’. Shqiptarët nuk do ta falin kurrë këtë shkelje mbi besimin e tyre.”

Koalicioni VLEN përfundon deklaratën duke riafirmuar misionin për një politikë të pastër dhe pa korrupsion, si dhe përkushtimin për të çuar përpara ndryshimin që qytetarët shqiptarë kanë kërkuar përmes votës së tyre.

MARKETING