(VIDEO) Mucunski: Nuk ka ndryshime kushtetuese pa garanca nga BE-ja

Shkupi zyrtar nuk po mendon për ndryshime kushtetuese pa marrë garanca të forta nga Bashkimi Europian, ka deklaruar kryediplomati, Timço Mucunski, në intervistë për magazinën politike “Politiko”, dhënë gjatë vizitës së tij në Bruksel.
Sipas Mucunskit, për Maqedoninë e Veriut është e pranueshme që të bëj më shumë në fushën e sundimit të ligjit dhe të së drejtës, por jo edhe për ndryshimet në aspektin historik që i kërkon Bullgaria.
TIMÇO MUCUNSKI – MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Qëndrimi ynë është: Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese, çka do të ndodhë nëse për gjashtë muaj Bullgaria sërish vjen me kërkesa lidhur me historinë, identitetin apo gjuhën? Nëse nesër vendet anëtare na thonë se duhet të bëjmë më shumë në fushën e sundimit të së drejtës apo menaxhimin e mirë – këtë e kuptojmë. Dhe jo vetëm që e kuptojmë, por e ndjejmë si obligim tonin”
Shefi i diplomacisë shfaqi bindje se zgjerimi akoma është i mundur. Foli edhe për kontekstin gjeopolitik.
TIMÇO MUCUNSKI – MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Dëgjojmë për skepticizëm ndaj zgjerimit. Por, Maqedonia e Veriut – në mënyrë kulturore, shoqërore dhe politike – është shoqëri evropiane. Nëse i bëjmë reformat siç duhet, nuk besoj se do të ketë rezistencë të fuqishme për zgjerim të rajonit tonë. Investimi më i shpejtë, e me siguri edhe më i lirë në stabilitetin evropian është BE-ja sa më shpejtë t’i hapë dyert për tërë rajonin. Nuk mendoj se zgjerimi selektiv është opsioni më i mirë”.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë shtetërorë deklarojnë se nuk do të bëjnë ndryshime kushtetuese në diktat bullgar, të njëjtën më heret e ka përmendur edhe kryeministri Hristian Mickoski, ai shpesh për këtë çështje është përplasur edhe me përfaqësues të BE-së. Së fundi me kërkesë të euro-deputetëve bullgarë, në Parlamentin Europian janë hequr edhe referenca për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Mevludin Imeri /SHENJA/