DAP digjitalizon shërbimet, nga shkurti janë dhënë 5.688 certifikata të të ardhurave përmes shërbimit të ri elektronik

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) sot kumtoi se që nga shkurti, pas prezantimit të shërbimit të ri digjital “E-certifikatë e të ardhurave të fituara”, janë lëshuar 5.688 certifikata me çka është kursyer kohë të konsiderueshme si për qytetarët ashtu edhe për nëpunësit e DAP-it.
Përveç kësaj, siç informon DAP-i, është modernizuar edhe shërbimi për lëshimin e “Certifikatave për gjendjen e tatimeve”, me të cilin të gjitha kërkesat e paraqitura në tre muajt e fundit përpunohen në kohën e duhur dhe certifikatat lëshohen në afat prej maksimum pesë ditë kalendarik.
“Kjo do të thotë që 100 për qind e certifikatave u lëshuan brenda afatit të përcaktuar me ligj. Në fazën tjetër, ky shërbim do të jetë plotësisht digjital dhe pa kontakt, duke mundësuar qasje edhe më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më efikas për qytetarët dhe kompanitë”, theksojnë nga DAP-i.
Me këtë, siç theksohet nga DAP-i, si institucion, konfirmojnë angazhimin e tyre për shërbime tatimore moderne dhe efikase.
“Qëllimi ynë është i qartë – që shërbimet tatimore të jenë të një standardi të lartë, të shpejta, të thjeshta dhe të besueshme. Duam që qytetarët dhe kompanitë të marrin shërbim cilësor vetëm me disa klikime, pa procedura të panevojshme dhe pa humbur kohë. Angazhimi afatgjatë dhe strategjik për transformimin e DAP-it është krijimi i një “pamje të re” dhe një “ambienti të ri” – si për taksapaguesit, ashtu edhe për nëpunësit tatimor dhe bashkëpunëtorët e administratës tatimore. Këto rezultate tregojnë se jemi në rrugën e duhur”, deklaroi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.