(VIDEO) MSH u kërkon institucioneve shëndetësore raportet e pacientëve

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka zhvilluar sot një takim me komisionin e brendshëm, i caktuar për përgatitjen e analizës paraprake të ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare në institucionet shëndetësore të vendit. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se, kiomisioni është formuar me qëllim mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave, me fokus të veçantë në periudhën nga viti 2022 deri më 2025, si në institucionet private ashtu edhe publike shëndetësore.
Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë
“Pres që komisioni të dorëzojë rezultate objektive, të cilat burojnë nga një proces maksimalisht profesional dhe i pavarur. Rezultatet e punës do të jenë të rëndësishme për përcaktimin real të gjendjes dhe vendosjen e një baze të fortë për përmirësimin e menaxhimit në shëndetësi”.
Komisioni i brendshëm është i përbërë nga ekspertë të shquar në fushë, juristë dhe ekonomistë.
Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar një njoftim tek institucionet publike shëndetësore që të dorëzojnë të dhëna për numrin e përgjithshëm të procedurave dhe operacioneve të kryera gjatë periudhës janar 2022 – gusht 2025, që lidhen me procedurat ndërhyrëse kardiologjike, siç janë koronarografitë dhe vendosjet e stentëve, angiografitë vaskulare dhe operacionet kardiokirurgjikale/vaskulare.
Gjetjet nga analiza e komisionit të brendshëm do të dorëzohen sa më shpejt në komisionin profesional të përbërë nga ekspertë të huaj, ndërsa raporti i komisionit të brendshëm do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kujtojmë se, së fundmi, kardiologu i njohur Sashko Kedev ka akuzuar spitalet private se kryejnë ndërhyrje të panevojshme kirurgjikale për përfitime financiare. Pas këtyre pretendimeve, ministria e Shëndetësisë ka nisur hetim për të analizuar nëse akuzat janë të vërteta./ SHENJA/