Mucunski në takim me Kopman: Qeveria e përkushtuar në procesin e integrimit evropian

Qeveria vitin e kaluar ka demonstruar përkushtim serioz në plotësimin e obligimeve nga agjenda reformuese, duke arritur përparim të konsiderueshëm, posaçërisht në sferat e digjitalizimit, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit dhe këto prioritete mbeten në fokus edhe gjatë periudhës së ardhshme, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në takimin e sotëm në Bruksel me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Komisionit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi lindore, Gert Jan Kopman.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme njoftoi se në takim u shkëmbyen mendime për zbatimin e agjendës së reformave, angazhimin e Qeverisë për të dhënë rezultate të dukshme nga proceset e reformave, si dhe Planin e rritjes si pjesë e mbështetjes më të gjerë evropiane për rajonin.
U bë fjalë edhe për bashkëpunimin rajonal, duke theksuar rolin dhe kontributin aktiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të nismave rajonale, si dhe ndaj stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit.

Bashkëbiseduesit u përqëndruan edhe në sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë në Evropë. Në atë drejtim u potencua rëndësia nga vazhdimi i përkrahjes për Ukrainën dhe nevojën për qasje të përbashkët, të koordinuar në ballafaqimin me pasojat nga pushtimi rus.
Në fokus të bisedës ishte edhe iniciativa “Roaming si në shtëpi me BE-në”, me qëllim eliminimin gradual të kostove të roamingut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Vendimi për këtë iniciativë pritet të merret në fillim të vitit të ardhshëm.
Ministri Mucunski, i cili ndodhet për vizitë pune në Bruksel, edhe një herë konfirmoi angazhimin e fortë të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj procesit të integrimit evropian, si një nga prioritetet strategjike në politikën e jashtme. Ai gjithashtu theksoi pajtueshmërinë e plotë të vendit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe rëndësinë e partneritetit strategjik me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.