(VIDEO) Komunat shqiptare humbin shumë këshilltarë

(VIDEO) Komunat shqiptare humbin shumë këshilltarë

Gostivari do të humbë tetë, Struga, Zhelina, Tearca, Kërçova dhe Vrapçishti do të kenë nga katër këshilltarë më pak pas zgjedhjeve të tetorit, pasi dje Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve në 14 komuna. Për këtë, ka reaguar deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti e cila këtë hap e ka vlerësuar si prapakthim të politikës shqiptare në RMV.

Në reagimin e saj, Dauti ka thënë se ky vendim buron nga vendimi i Qeverisë.

ILIRE DAUTI – DEPUTETE

“Në shtator të vitit të kaluar, pa asnjë debat në Qeveri, kaloi vendimi i Qeverisë për fshirjen e diasporës, që çdo ditë dëmton financiarisht shqiptarët, e tash edhe në përfaqësimin politik përmes zvogëlimit të numrit të këshilltarëve komunalë. Shqiptarë në numër kishte plot aty kur u soll ky vendim, sikurse edhe shumë herë të tjera. Politikanë e thërrasin veten edhe këta të gjithë që garojnë kush më keq do e bëjë”

Me reagim doli edhe kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi.  Sipas tij, zvogëlimi i Këshillit Komunal të Gostivarit nga 31 në 23 anëtarë është sulm ndaj përfaqësimit të drejtë.

VISAR ADEMI – KANDIDAT PËR KOMUNËN E GOSTIVARIT

“Bëj thirrje institucioneve përkatëse që menjëherë ta kthejnë këtë vendim dhe të rikthejnë numrin e merituar të këshilltarëve. Përjashtimi i diasporës u mohon 40,000 qytetarëve të Gostivarit të drejtat e tyre kushtetuese. Diaspora është shtyllë jetike e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të qytetit tonë, dhe zëri i saj kurrë nuk duhet të heshtet”.

Veç Dautit dhe Ademit, këtë situatë e kundërshtuan edhe partitë opozitare. Ndërkaq, VLEN për këtë situatë të krijuar pas vendimit të KSHZ-së, i akuzoi ish pushtetarët duke thënë se kjo lind si problem pas mënyrës së gabuar të regjistrimit të popullsisë të aprovuar nga BDI-ja në vitin 2021.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING