(VIDEO) KSHZ miraton udhëzimin që zvogëlon numrin e këshilltarëve në komuna

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot ka miratuar Udhëzimin për plotësimin e formularit të listave për kandidatët për anëtarë të këshillave të komunave dhe të Qytetit të Shkupit. E vetmja anëtare që e kundërshtoi këtë vendim ishte Ditmire Shehu, e cila konsideron se nuk mund të miratohet mbi bazën e një vendimi të Qeverisë ku merren parasysh vetëm banorët rezidentë, e jo të diasporës, për çka ulet numri i këshilltarëve në 14 komuna. Ditmire Shehu njoftoi se do ta kontestojë këtë udhëzim në gjykatat e vendit.
Ditmire Shehu:
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se ata nuk kanë kompetenca të hyjnë në përmbajtjen e vendimit të Qeverisë dhe nuk kanë mundësi tjetër ligjore përveç të veprojnë sipas tij. Ai shpjegoi se për KSHZ-në është e rëndësishme që vendimi është legjitim dhe është në fuqi, ndërsa nuk ka akt tjetër dhe kompetencë tjetër ligjore mbi bazën e së cilës do të vepronim në përcaktimin e numrit të këshilltarëve në komuna.
Qeveria vendosi për uljen e numrit të këshilltarëve, duke u mbështetur në të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë, në të cilat u ndanë qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë. Por, Gjykata Kushtetuese, në qershor të këtij viti e cilësoi jokushtetuese Metodologjinë e Regjistrimit të Vitit 2021, duke vlerësuar se nuk përputhet me sundimin e së drejtës si dhe tejkalohen kompetencat e drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave, i cili nuk kishte mbështetje ligjore për të ndërmarrë një akt të tillë. /SHENJA/