Shkëndija e Tetovës eliminohet nga Liga e Kampionëve, vazhdon në Ligën e Evropës

Shkëndija e Tetovës është eliminuar në raundin e tretë eliminator të Ligës së Kampionëve, pas një disfate të thellë nga Karabahu, raporton SHENJA. Pas humbjes 1:0 në ndeshjen e parë në Shkup, kuqezinjtë e drejtuar nga Jeton Beqiri u mposhtën edhe në ndeshjen e kthimit, me rezultatin 5:1 në Azerbajxhan.
Edhe pse Shkëndija kaloi e para në epërsi me golin e Tambas, vendasit rikthyen menjëherë kontrollin dhe dominuan pjesën e parë. Karabahu barazoi me një autogol të Cakes dhe më pas realizoi katër gola të tjerë me anë të Kadyt, Akunzades, Jankoviqit dhe Andrades.
Pavarësisht përpjekjeve, Shkëndija nuk arriti të përmbysë rezultatin dhe largohet nga gara në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, ekipi tetovar do ta vazhdojë aventurën evropiane në fazën play-off të Ligës së Evropës, ku do të përballet me humbësin e përballjes mes Ludogorets dhe Ferencvarosh. /SHENJA/