Avioni transportues i UPS-it dhe avioni i pasagjerëve i Copa Airlines përplasen në aeroportin e Miamit në SHBA
Një avion transportues i UPS-it dhe një avion pasagjerësh i Copa Airlines janë përplasur dje vonë në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, në shtetin amerikan Florida, duke shkaktuar reagimin emergjent, transmeton Anadolu.
Duke cituar zyrtarë të aeroportit, CBS News tha se nuk pati raportime për persona të lënduar nga përplasja.
Sipas Shërbimit të Shpëtimit nga Zjarri të Miami-Dade, avionët e përfshirë në incident ishin një Boeing 767 i UPS-it dhe një Boeing 737 i Copa Airlines.
Drejtor i komunikimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, Greg Chin, tha se përplasja ndodhi rreth orës 21:15 me kohën lokale, kur një avion që po mbërrinte dhe një tjetër që po nisej u kontaktuan në kryqëzimin e dy rrugëve të lëvizjes së avionëve.
“Nuk ka raportime për persona të lënduar”, tha Chin për CBS News në një deklaratë.
Ai tha se avionët po ridrejtoheshin drejt rrugëve të tjera të lëvizjes dhe se incidenti nuk kishte ndikuar në operacionet e aeroportit.
Fluturimi 358 i UPS-it ishte planifikuar të nisej nga Miami drejt Bogotas në Kolumbi, ndërsa fluturimi 427 i Copa Airlines po mbërrinte nga Panama City, Panama, ku ndodhet selia qendrore e kompanisë ajrore.
Përplasja ndodhi ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Miamit vazhdonte të përballej me vonesa dhe anulime fluturimesh, pas një ndalese të pazakontë të operacioneve në shkallë kombëtare, të urdhëruar të premten nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se rikthimi i operacioneve normale të fluturimeve do të kërkonte kohë, ndërsa kompanitë ajrore po punonin për të ripozicionuar avionët dhe ekuipazhet në të gjithë vendin.
Megjithatë, drejtuesi i Administratës Federale të Aviacionit, Bryan Bedford, tha se orari i fluturimeve në SHBA pritej të kthehej në normalitet deri në fund të së dielës.

