Osmani: “Bota Serbe” po shndërrohet në sinonim të kësaj qeverie – tani me “Alta Bank” po tentohet sektori bankar

Kandidati për kryetar të komunës Çair nga Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me ndikimin e “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut. Osmani përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka alarmuar se “bota serbe” po merr formë të konkretizuar, duke aluduar se pas hyrjes së Telekomit Serb, tani përmes “Alta Bank” po tentohet që të shtrihet edhe në sektorin bankar.
Postimi i plotë i Bujar Osmanit:
Paralajmërimet për rritjen e ndikimit të “Botës Serbe” po marrin formë konkrete. Pas hyrjes së Telekomit Serb, tani penetrimi i kapitalit serb po bëhet realitet edhe në sektorin bankar. Në fazën finale të miratimit nga Banka Popullore është “Alta Bank” – operator financiar që pritet të marrë kontrollin e aksioneve të Stopanska Banka AD Bitola.
Ajo që bie në sy është fakti se pronari i kësaj banke serbe është biznesmeni kontrovers Davor Macura, i lidhur ngushtë me Milan Radojçiç – organizatorin e aktit terrorist të Banjskës në Kosovë.
Në heshtje, “Bota Serbe” po shndërrohet në sinonim të kësaj qeverie.