Ministri ekstremist izraelit: E kemi “dritën jeshile” të SHBA-së për ta kthyer Gazën në “qytet turistik”

SHBA-ja i ka dhënë Izraelit dritën jeshile për ta transformuar Rripin e Gazës në një “qytet turistik” pas zhvendosjes së palestinezëve, deklaroi sot Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, transmeton Anadolu.
“Ne do ta pushtojmë Gazën dhe do ta bëjmë atë një pjesë të pandashme të Izraelit”, tha Smotrich në një konferencë të mbajtur në Knesset (parlament) nën titullin “Riviera e Gazës – nga vizioni në realitet”.
“Ne kemi dritën jeshile nga presidenti i Shteteve të Bashkuara (Donald Trump) për ta shndërruar Gazën në një rrip të begatë, një qytet turistik me punësim. Kështu bëhet paqja”, tha ai.
Kreu i Partisë së Sionizmit Fetar të ekstremit të djathtë tha se “një plan i propozuar për të zhvendosur banorët e Gazës në vende të tjera do të shërbejë si mjet për të lehtësuar vendosjen e banorëve të rinj të rripit”.
“Mund të fillojmë me kufirin verior dhe të krijojmë tri komunitete atje. Tashmë po flasim për këtë”, tha ministri ekstremist.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga SHBA-ja mbi deklaratat e Smotrichit. Ideja e shndërrimit të Gazës në “Rivierën e Lindjes së Mesme” u propozua nga presidenti Donald Trump në fillim të këtij viti.
Ndërsa Smotrich nuk dha detaje të mëtejshme rreth këtij plani, ai përsëriti thirrjen e tij në një konferencë të veçantë në Kudsin Perëndimor për kryeministrin Benjamin Netanyahu që të ecë përpara me pushtimin e plotë të Rripit të Gazës.
“I bëj thirrje kryeministrit të caktojë një afat për negociatat me Hamasin dhe t’i japë atij një ultimatum përfundimtar 24-orësh për të pranuar kushtet”, tha ai.
“Nëse nuk ndodh kjo, të deklarohet fundi i çdo mundësie për një marrëveshje të pjesshme dhe të urdhërohet ushtria të zbatojë planin për kontroll të plotë të Rripit dhe ndarje humanitare, duke çuar ose në dorëzimin e plotë të Hamasit ose në shkatërrimin total”.
Negociatat indirekte janë duke u zhvilluar aktualisht në Doha midis Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti me mbështetjen e SHBA-së, për të arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve dhe një armëpushim në Gaza. Dy marrëveshje të pjesshme u arritën në nëntor 2023 dhe këtë janar.
Hamasi ka theksuar vazhdimisht gatishmërinë e tij për të liruar të gjithë robërit izraelitë në një grup, në këmbim të përfundimit të luftës së Izraelit dhe tërheqjes së plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Izraeli ka vrarë më shumë se 59.100 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.