(VIDEO) Rezoluta e BE-së alarmon për ndikimin serbo-rus në RMV

Pavarësisht pretendimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski, lideri opozitar Venko Filipçe thotë se me raportin e fundit evropian për progresin e vendit, nuk cënohet gjuha dhe identiteti maqedonas. Ai tha se, raporti nuk është për ekzistencën e kombit dhe gjuhës maqedonase dhe se ato janë qartë të definuara dhe të mbrojtura dhe askush nuk mund t’i dëmtojë.
Venko Filipçe, LSDM
“Populli maqedonas ka një vizion të qartë dhe një vullnet të fortë për t’u integruar në BE, por pa kompromentuar dinjitetin dhe identitetin e tyre kombëtar. Lufta dhe vizioni ynë ishin të qartë: të mbrojmë gjuhën dhe identitetin dhe të hyjmë në BE sa më shpejt të jetë e mundur si maqedonas që flasin gjuhën maqedonase. Kjo gjë nuk është rrezikuar në asnjë moment dhe as nuk do të rrezikohet”
Nga ana tjetër, opozita shqiptare në reagimet e tyre, kanë shprehur shqetësimin e tyre sa i përket alarmimin në raportin e eurodeputetit Tomas Vajc në lidhje me ndikimin serb në vend. Nga BDI thanë se, rruga që po ndjek kjo qeveri është rruga e izolimit, e kapjes institucionale dhe e minimit të rendit demokratik.
BDI
“Sipas raportit, Maqedonia është bërë terren i lirë për propagandën ruse, ndikimin ekonomik të errët kinez dhe përçimin e këtyre ndikimeve përmes rrjeteve politike dhe mediatike të lidhura me ‘botën serbe’. Hungaria dhe Serbia luajnë rol ndërmjetësues, duke forcuar praninë autoritare dhe duke minuar kursin euroatlantik të vendit. Propaganda kundër Bashkimit Evropian, e shpërndarë përmes mediave vendore, përdor frikën identitare për të paraqitur integrimin si kërcënim, jo si shpresë”.
Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, i ka bërë thirrje partive shqiptare në pushtet të distancohen nga aktivitetet që i kontribuojnë kësaj agjende.
Aleanca për Shqiptarët
“Është e domosdoshme që të gjitha partitë shqiptare dhe faktorët pro-evropianë të vendit të marrin përgjegjësinë historike dhe të distancohen pa ekuivok nga çdo aleancë me forcat që promovojnë ndikimin serbo-rus në rajon. Çdo përkrahje ndaj politikave të VMRO-DPMNE-së, të cilat janë vënë në shërbim të kësaj agjende, përbën tradhti ndaj të ardhmes euroatlantike të vendit dhe ndaj interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Brukseli tashmë e ka kuptuar rrezikun. A e kupton edhe grupimi VLEN? A janë të gatshëm të bëjnë zgjedhjen e duhur për vendin, për të ardhmen dhe për sigurinë tonë kolektive?”
Raporti po ashtu përmban kritika serioze sa i përket rezultateve të dobëta të vendit në luftën kundër korrupsionit dhe fushën e gjyqësorit ku theksohet mes tjerash se, Qeveria në Shkup ndërhyn dhe bën presion ndaj gjyqësorit.
Teuta Buçi /SHENJA/