Imërlije Saliu: Familja tradicionale është vlerë që duhet kultivuar

Deputetja e Alternativës Imërlije Saliu nëpërmjet një konference për media ka reaguar lidhur me “paradën e krenarisë” e cila do të mbahet ditën e sotme në kryeqytet. Ajo thotë se kjo paradë që për disa është simbol lirie, ata konstatojnë se për shumicën dërrmuese të qytetarëve ajo përfaqëson një paradë që bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar familja tradicionale shekullore.
MARKETING
Ja dhe reagimi i plotë:
Sot, kur në Shkup organizohet parada e “krenarisë”, një aktivitet që për disa është simbol lirie, ne konstatojmë se për shumicën dërrmuese të qytetarëve tanë ajo përfaqëson një paradë që bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar familja tradicionale shekullore.
Alternativa, si përfaqësuese e një filozofie politike që buron nga realiteti i familjeve tona, e riafirmon bindjen e palëkundur për t’i mbrojtur dhe kultivuar vlerat e familjes tradicionale shqiptare, një strukturë që ka qenë themeli i identitetit tonë kombëtar, i edukimit të brezave dhe i qëndrueshmërisë së shqiptarëve në rajon.
Ne nuk e gjykojmë askënd për mënyrën se si zgjedh të jetojë jetën e vet, por jemi të vendosur që shoqëria jonë të ecë përpara mbi baza të shëndosha morale, kulturore dhe historike, jo mbi modele që nuk kanë lidhje me realitetin tonë shoqëror dhe që shpesh vijnë të imponuara përmes presioneve ideologjike dhe politike.
Nuk duhet të harrojmë që kjo që ndodh sot është peshqesh edhe i nomenklaturës së kaluar politike, e cila edhe pas më shumë se dy dekadash në pushtet nuk ofroi as vizion e as moral politik. Në vend që të ndërtonte shkolla moderne, spitale funksionale dhe të hapte vende pune, ajo zgjodhi të zbrazë lagjet tona nga shpresa dhe t’i mbushë me kazino, bastore dhe vende degjenerimi. Këtu duhet të rikujtojmë se BDI-ja në mënyrë të vazhdueshme, në heshtje ose me deklarime publike, i ka mbështetur këto parada.
Megjithatë, Alternativa nuk pranon të luajë me moralin, ndjenjat dhe identitetin e këtij populli. Ne jemi dhe do të mbesim zëri i atyre që nuk kërkojnë spektakël, por që kërkojnë dhe presin drejtësi përmes punës, ndershmërisë dhe besimit në vlerat e trashëguara nga paraardhësitë tanë.
Sot, më shumë se kurrë, shqiptarëve u duhet një politikë që i jep prioritet familjes, edukimit të fëmijëve, sigurisë në lagje dhe zhvillimit ekonomik. Shqiptarët nuk kanë nevojë për parada. Ata kanë nevojë për dinjitet, për një shtet që i respekton, për një sistem që nuk i tall e që nuk i përdor për agjenda ditore e për pikë të ulëta politike.
Alternativa qëndron me burrat dhe gratë familjare që çdo ditë sakrifikojnë për të ndërtuar një jetë të ndershme. Ne jemi me familjet që duan një të ardhme për fëmijët e tyre, pa qenë të kërcënuar nga pasiguria morale dhe pa eksperimente sociale që e shkatërrojnë të ardhmen tonë.
Alternativa punon për familjen e shëndoshë. Alternativa kontribon për të ardhmen. Alternativa përfaqëson shqiptarin që nuk e harron rrënjën.