BDI denoncon skandalin në Komunën e Çairit: Mbi 30 mijë euro përfunduan në kafiterinë e zëvendësministres Zekolli-Shaqiri

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, skandalit të radhës në Komunën e Çairit, ku sipas tyre janë shpërdoruar mijëra euro nga buxheti publik në mënyrë të paligjshme.
MARKETING
Sipas njoftimit zyrtar të BDI-së, Komuna e Çairit ka derdhur mbi 30 mijë euro në kafiterinë “1sh”, në pronësi të zëvendësministres Kaltrina Zekolli-Shaqiri, pa ndonjë shpallje publike dhe në shkelje të Ligjit për Prokurime Publike. Vetëm gjatë këtij viti, sipas të njëjtit njoftim, kjo kafiteri ka përfituar mbi 14 mijë euro pa konkurrencë dhe transparencë.
BDI e cilëson këtë rast si dëshmi të qartë të abuzimit me paranë publike, duke akuzuar Lëvizjen Demokratike dhe përfaqësues të saj për favorizim të bizneseve të lidhura me zyrtarët e tyre dhe për kapjen e institucioneve për interesa politike dhe personale.
“Kafiteria ‘1sh’, e njohur si seli alternative e zyrtarëve Visar Ganiu dhe Izet Mexhiti, është kthyer në simbol të keqpërdorimit të pushtetit,” thuhet në deklaratën e BDI-së.
Përveç prokurimeve publike, BDI thekson se abuzimet në Çair përfshijnë edhe lejimin selektiv të ndërtimeve pa leje dhe shumëkatëshe, si dhe përdorimin e pronës publike për interesa të ngushta politike.
Në përfundim, BDI rithekson përkushtimin e saj për një qeverisje transparente dhe në shërbim të qytetarëve, duke u angazhuar kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit.