(VIDEO) Trump e quan sulmin izraelit të shkëlqyer, paralajmëron sulme të tjera

Irani ka kërkuar takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) lidhur me sulmet e Izraelit, transmeton Anadolu. Sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA, përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB në një letër urgjente drejtuar KS-OKB-së dënoi “sulmet e Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe vrasjet e zyrtarëve ushtarakë”. Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB ka kërkuar takim urgjent të KS-OKB-së për ta mbajtur Izraelin përgjegjës për këto sulme. Sulmet izraelite ndaj Iranit kanë nxitur reagime të shumta të lidrëve botërorë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i quajti sulmet ajrore të Izraelit gjatë natës mbi Iranin “të shkëlqyera”, duke shtuar se “do të ketë edhe shumë për t’u bërë”.
MARKETING
Donald Trump, president i SHBA-së
“Mendoj se ka qenë e shkëlqyer. Ne u dhamë atyre një shans dhe ata nuk e shfrytëzuan. Ata u goditën rëndë, shumë rëndë. Ata u goditën aq fort sa do të goditesh. Dhe ka edhe shumë për t’u bërë”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi se sulmet ndaj Iranit janë “veprim i njëanshëm” i Izraelit dhe u bëri thirrje aleatëve, përfshirë SHBA-në, të ulin tensionet.
Mark Rutte, Sekretari gjeneral i NATO-s
“Duket qartë se është një situatë e zhvilluar me shpejtësi. Ky ishte veprim i njëanshëm i Izraelit. Mendoj se është jetike që shumë aleatë, përfshirë SHBA-në, të punojnë për të ulur tensionet. E di që po e bëjnë këtë”.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas e ka quajtur situatën në Lindjen e Mesme “të rrezikshme”.
Kaja Kallas, Përfaqësuese e lartë e BE-së
“U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Diplomacia mbetet rruga më e mirë përpara dhe jam e gatshme të mbështes çdo përpjekje diplomatike drejt de-përshkallëzimit”.
Ndërkaq, kancelari gjerman Friedrich Merz ka riafirmuar bindjen e shtetit të tij në të drejtën e Izraelit “për të mbrojtur ekzistencën e tij” dhe ka përsëritur se Iranit nuk mund t’i lejohet të zhvillojë një bombë bërthamore, ndërsa u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga përshkallëzimi.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Sulmet e Izraelit ndaj fqinjit tonë Iranit janë një provokim i qartë që shpërfill ligjin ndërkombëtar”. Ai tha se Izraeli që nga mëngjesi i sotëm e ka çuar strategjinë e tij për të mbytur rajonin veçanërisht Gazën, në gjak, lot dhe paqëndrueshmëri, në një fazë shumë të rrezikshme. Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, tha se, Kina është thellësisht e shqetësuar për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë operacionet dhe u bën thirrje palëve përkatëse të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensionit. /SHENJA/