(VIDEO) Rezoluta për armëpushim në Gaza, Maqedonia ndryshe vepron, ndryshe deklaron

“Ndryshe flasim e ndryshe veprojmë”, me këtë shprehje mund të përshkruhet më së miri mënyra se si Maqedonia e Veriut sillet rreth armëpushimit në Gaza.
MARKETING
TIMÇO MUCUNSKI, MINISTËR I JASHTËM
“Ajo rezolutë nuk ishte për paqe ose luftë. Mos keni asnjë dilemë, ne duam paqe gjithandej. Në të gjitha konflitet në botë. Në këtë mënyrë është e vendosur dhe punon edhe diplomacia jonë. Punojmë dhe mundohemi të ndikojmë, aq sa mundemi si shtet i vogël, për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, duam paqe edhe mes Izraelit dhe Palestinës, mos keni dilema”.
Këtë deklaratë Mucunski e dha duke u përgjigjur në pyetjen e TV Shenjës se pse në OKB megjithatë vendi nuk e ka mbështetur një armëpushim në Gaza dhe ka abstenuar. Mucunski tregon edhe arsyen se pse si shtet, nuk e kemi mbështetur rezolutën përmes të cilës parashihej mbrojtja e civilëve në Gaza.
TIMÇO MUCUNSKI, MINISTËR I JASHTËM
“Në këtë rezolutë do të shihni edhe argumente që janë kundër të drejtave themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në rezolutën e njëjtë do të shihni mangësi në definicione për atë se çfarë është Hamasi. Për mua nuk ka asnjë dilemë se Hamasi është organizatë terroriste, që ka kryer vrasje në territor të Izraelit. Më lejoni, kur nuk ka sqarime të qarta për veprimet e Hamas, për organizatën si të tillë dhe ne nuk mund të qëndrojmë pas një rezolucioni të tillë”.
Ndryshe, ditën e djeshme në OKB 149 vende nga e gjithë bota votuan “pro” një armëpushim të menjëhershëm dhe mbrojtje të civilëve në Gaza, por Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria abstenuan. Rezoluta kërkonte armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe qasje të pakufizuar për të shpërndarë ushqimin e nevojshëm urgjentisht për dy milionë palestinezë që jetojnë në kushte të tmerrshme për shkak të agresionit izraelit.
Mevludin Imeri /SHENJA/