(VIDEO) Vrasja e Vanjës, prokuroria kërkon dënim maksimal për Pallçon

“Vrasja e një fëmije nuk është thjesht mizori, është një sulm ndaj njerëzimit, një akt që nuk mund të justifikohet. Aktet morbide tronditën publikun. Velibor Manev, Bore Videvski, Vllatko Keshishev dhe Ljupço Palevski kanë shkruar një skenar filmi”. Kështu prokurorja Zhaklina Krstevska Josifovska u shpreh në fjalët përfundimtare, të cilat i dhanë fund gjyqit për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pance Zhezhovski që ndodhën në nëntor të 2023.
MARKETING
ZHAKLINA KRSTEVSKA JOSIFOVSKA, PROKURORE
“Pas analizave disamujore, ata vendosën ta rrëmbenin Pançen, i cili kishte një “Citroen” me bagazh të madh dhe jetonte vetëm. Me atë automjet, të premten, më 24 nëntor, ata u përpoqën ta rrëmbenin vajzën, pasi babai u kishte thënë më parë se çdo të premte ajo shkonte vetëm në shkollë. Ata nuk arritën ta rrëmbenin të premten, por nuk u dorëzuan. Kur morën informacion nga Aleksandar të dielën se të hënën Vanja do të shkonte vetëm në orën e parë të mësimit, të dielën në mbrëmje Manev dhe Videvski mbërritën nga Velesi në Shkup me makinë ekspres, për të kryer krimin në mëngjes”.
Krstevska theksoi se Manev e njihte Pançen që më parë, kur ai bënte disa punime ndërtimi për të, gjatë të cilave Zhezhovski i detyrohej 500 euro. Pançe jetonte 500 metra larg Manevit, kishte një automjet të mirëmbajtur me një bagazh të madh, i cili u nevojitej për krimin, tha ajo.
ZHAKLINA KRSTEVSKA JOSIFOVSKA, PROKURORE
“Pasi vranë Pançen, ata nuk e ndërruan mendjen se çfarë të bënin më pas. E varrosën në një gropë dhe vazhduan me krimet e tyre. Ata vranë një fëmijë të pafajshëm, i cili nuk u kishte bërë asnjë të keqe. Babai, prindi i preferuar i Vanjës, me siguri pretendoi se ajo ishte rrëmbyer, as nuk pyeti, gjoja shkoi ta kërkonte, nuk tregoi se ku po shkonte dhe mori të njëjtën rrugë që morën vrasësit”.
Prokurorja tha se të pandehurit kryen dy rrëmbime dhe dy vrasje dhe babai, Gjorçevski, kreu një vepër penale të rrëmbimit. Manev, Keshishev dhe Videvski treguan në deklaratat e tyre para Prokurorisë se si i kryen krimet, dhe Videvski konfirmoi se babai i Vanjës i dha informacion Palevskit në lidhje me lëvizjet e vajzës së tij në ditën kritike, tha ajo.
ZHAKLINA KRSTEVSKA JOSIFOVSKA, PROKURORE
“Të gjithë treguan se si i kryen krimet dhe se babai Aleksandar Gjorçevski i dha informacionin. Çfarë dhe si ndodhi kjo del edhe nga marrja në pyetje të dëshmitarëve dhe hetuesve të hetimit”.
Më 27 nëntor të vitit 2023 Vanja ishte rrëmbyer para shtëpisë së saj në orën 7:30 të mëngjesit, e më pas dy orë më vonë është vrarë brutalisht në afërsi të fshatit Brazdë. Policia e ka gjetur trupin e saj pak ditë më vonë, më 3 dhjetor. Gjithashtu ata kishin gjetur edhe një trup tjetër të 74-vjeçarit Pançe Zhezovskit, në afërsi të Velesit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/