Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes ricaktohet më 9 qershor

Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes ricaktohet më 9 qershor

Gjykimi për rastin e vrasjes së të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi, ku i akuzuari kryesor është Ljupço Palevski – Palço, së bashku me Bore Videvskin, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babain e vajzës, Aleksandar Gjorçevski, është ricaktuar për më 9 qershor. Siç informojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup, ricaktimi është me kërkesë të prokurorit publik kompetent.

MARKETING

Description of image

Gjykimi duhet të vazhdojë me fjalët përfundimtare të Prokurorisë, pasi me seancën e kaluar përfundoi procedura dëshmuese.

“Për shkak të interesimit të mediave dhe organizatave joqeveritare që ndjekin punën e gjykatës, njoftojmë opinionin se shqyrtimi kryesor për rastin me K. nr. 1339/24 lidhur me vrasjen e dyfishtë të të miturës V.Gj. dhe banorit nga Velesi P.Zh. e caktuar për datën 02.06.2025, me kërkesë të prokurorit publik kompetent, ricaktohet për datën e radhës, tashmë të caktuar, më datë 09.06.2025 në ora 10:00. Njëherit për shkak të vëllimit të lëndës, provave verbale dhe materiale të nxjerra, plotësimin e procedurës dëshmuese, si dhe kohën e nevojshme për përgatitje adekuate të fjalëve përfundimtare, është pranuar kërkesa për ricaktim të debatit, për të cilën palët do të njoftohen”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale në Shkup.

Në seancën e kaluar në Gjykatën Themelore Penale Shkup u nxorën dëshmi shtesë nga ana e mbrojtjes së të pandehurve Palevski, Videvski dhe Gjorçevski, ndërsa mbrojtja e dy të akuzuarve tjerë Manev dhe Keshishev nuk propozoi prova përveç procedurës dëshmuese. I akuzuari i parë Ljupço Palevski fillimisht e kundërshtoi shpjegimin e Prokurorisë Themelore Publike lidhur me kalkulimin e kohës. Sipas tij, koha e regjistrimeve në oborrin e Velibor Manevit, të cilat paraprakisht janë paraqitur nga Prokuroria në Gjykatë, nuk janë në kohë reale, ndonëse janë ekzaminuar në mënyrë ekspertize dhe janë konfirmuar nga Forenzika e MPB-së.

Në aktakuzë thuhet se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin e tij “Citroen” që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Më 27 dhe 24 nëntor Vanja e mitur dhe banori i Velesit Pançe u raportuan të zhdukur, ndërsa më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.

MARKETING