(VIDEO) MPB kallzim penal ndaj kryetarit të Kërçovës

(VIDEO) MPB kallzim penal ndaj kryetarit të Kërçovës

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se Sektori për Punë të Brendshme në Kërçovë ka ngritur kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, për shkak të ekzistimit të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në njoftim potencohet se ai angazhoi avokatë në mënyrë të paligjshme dhe dëmtoi buxhetin e komunës me gati 4 milionë denarë, me qëllim për të përfituar dobi pasurore të paligjshme.

MARKETING

Ministria e Punëve të Brendshme

Në këtë mënyrë, i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjit për Prokurime Publike, ka shkelur dispozitat e Ligjit për Procedurën Civile, Rregulloren për Sistematizimin e Vendeve të Punës, me ç’rast u ka mundësuar avokatëve, në dëm të buxhetit të komunës së Kërçovës, të përfitojnë dobi pasurore të paligjshme prej 3.938.420 milionë denarësh ose rreth 64.000 eurosh”.

Tutje në njoftimin e MPB-së sqarohet se në periudhën që nga viti 2017 deri në vitin 2024, ai, në cilësinë e kryetarit të komunës së Kërçovës, në mënyrë të paligjshme ka lidhur disa kontrata për kryerjen e shërbimeve ligjore me avokatë nga Kërçova, megjithëse brenda komunës së Kërçovës ekziston Sektor për Çështje Ligjore me gjithsej 37 të punësuar, të cilët kanë të drejtë ta përfaqësojnë komunën para gjykatave në vend.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING