Gashi në Takim me Kryetarin e Dhomës së Lartë të Marokut

Gashi në Takim me Kryetarin e Dhomës së Lartë të Marokut

Në kuadër të Forumit Parlamentar Ekonomik të Asamblesë Parlamentare të Mediteraneut (APM), që u mbajt në Marrakesh të Mbretërisë së Marokut, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim dypalësh me Mohamed Old Erashid, Kryetarin e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Marokut.

MARKETING

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku të dy palët shprehën angazhim të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.

Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për pritjen e ngrohtë, duke theksuar miqësinë e thellë dhe respektin e ndërsjellë midis Maqedonisë së Veriut dhe Marokut, si dhe potencialin e madh për avancimin e bashkëpunimit në një nivel më strategjik.

Gjatë bisedimeve, u nënvizua rëndësia e ratifikimit të Marrëveshjes për Heqjen e Ndërsjellë të Vizave për bartësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale, si dhe nevoja për krijimin e grupeve dypalëshe të bashkëpunimit parlamentare që do të shërbejnë si ura lidhëse midis dy popujve.

Nga ana e tij, Kryetari Old Erashid i uroi mirëseardhje të ngrohtë Kryetarit Gashi dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar si një instrument kyç për avancimin e marrëdhënieve bilaterale. Ai theksoi se, edhe pse dy vendet janë gjeografikisht larg, ekziston një potencial i madh për bashkëpunim ekonomik, veçanërisht në sektorë si burimet e rinovueshme të energjisë, bujqësia dhe teknologjia.

Po ashtu, Old Erashid theksoi nevojën për nisma kulturore që synojnë forcimin e mirëkuptimit dhe miqësisë midis brezave të ardhshëm të dy vendeve.

Në përfundim, u propozua që bashkëpunimi të thellohet jo vetëm në nivel bilateral, por edhe përmes mekanizmave parlamentarë shumëpalësh, me fokus në sfidat globale si migrimi dhe ndryshimet klimatike.

Kryetari Gashi u shpreh i gatshëm për të vazhduar këtë bashkëpunim të frytshëm dhe bëri ftesë zyrtare për Kryetarin Old Erashid që të vizitojë Shkupin në të ardhmen e afërt.

MARKETING