Emiratet e Bashkuara Arabe: Arritëm marrëveshje me Izraelin për dërgimin e ndihmës në Gaza

Emiratet e Bashkuara Arabe: Arritëm marrëveshje me Izraelin për dërgimin e ndihmës në Gaza

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) njoftuan se kanë arritur marrëveshje me Izraelin për të filluar shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

MARKETING

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i EBA-së, Abdullah bin Zayed Al Nahyan zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm izraelit, Gideon Saar, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve e EBA-së, WAM.

Gjatë bisedës telefonike, u arrit marrëveshje për të filluar shpërndarjen e ndihmës urgjente humanitare nga EBA-ja, fillimisht për të përmbushur nevojat ushqimore të afërsisht 15.000 civilëve në Rripin e Gazës.

Palët diskutuan mbi përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për të arritur marrëveshje të re armëpushimi, për të ruajtur armëpushimin dhe për të liruar të burgosurit.

Marrëveshja përfshin sigurimin e materialeve bazë për funksionimin e furrave të bukës në Rripin e Gazës si dhe nevojat bazë për fëmijët si dhe furnizimin e vazhdueshëm të këtyre materialeve për të përmbushur nevojat e civilëve.

Gjatë bisedës, Bin Zayed theksoi rëndësinë e ofrimit të ndihmës humanitare dhe mjekësore për popullin palestinez në Rripin e Gazës në mënyrë urgjente, intensive, të sigurt dhe pa pengesa.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi dje se ndihma nuk u ishte dërguar palestinezëve pavarësisht se Izraeli, i cili ka vendosur embargo të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës për 11 javë, tha se kishte lejuar hyrjen e 93 kamionëve.

Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se sasia e ndihmës humanitare e lejuar në Gazën e goditur nga uria është shumë më e ulët se ajo e nevojshme. Izraeli tha se do të “lejojë kalimin e një sasie bazë ushqimi për të parandaluar urinë” në Rripin e Gazës, ku ka vendosur embargo humanitare që nga 2 marsi.

Televizioni shtetëror izraelit KAN raportoi se vendimi për të filluar menjëherë kalimin e ndihmës humanitare në Gaza u mor për shkak të presionit politik të ushtruar mbi Tel Avivin, veçanërisht nga SHBA-ja dhe vendet evropiane.

MARKETING