Kryeministri i Katarit, Al Thani: Vazhdojnë përpjekjet e ndërmjetësve për armëpushim në Gaza

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani tha se vendi i tij vazhdon të punojë me Egjiptin dhe SHBA-në për të arritur armëpushim në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
MARKETING
Al Thani foli në Forumin Ekonomik të Katarit të mbajtur në kryeqytetin e Katarit, Doha, rreth përpjekjeve për armëpushim në Gaza të kryera me SHBA-në dhe Egjiptin.
“Ne vazhdojmë përpjekjet tona me Egjiptin dhe SHBA-në për të arritur armëpushim në Gaza”, tha Al Thani. Ai shtoi se Izraeli ishte pala që nuk arriti marrëveshje në bisedimet e armëpushimit.
“Mendonim se lirimi i (ushtarit me shtetësi të dyfishtë amerikano-izraelite, i mbajtur në Gaza) Idan Alexander do t’i jepte fund tragjedisë në Gaza, por përgjigjja ishte bombardimi intensiv”, tha kryeministri i Katarit.
Al Thani deklaroi se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Gaza është përmes negociatave. Sipas tij, negociatat vazhdimisht “sabotohen dhe minohen nga lojërat politike dhe shantazhi”.
Kryeministri Al Thani tha se ata vazhduan negociatat për armëpushim pavarësisht përpjekjeve për shantazh dhe minimizim.
“Njëra palë dëshiron marrëveshje të pjesshme që mund të çojë në një marrëveshje tjetër, ndërsa pala tjetër dëshiron një marrëveshje të vetme. Ne jemi të bllokuar tani dhe operacioni ushtarak do të vonojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje”, tha ai.
Ai potencoi se negociatat për armëpushim ende nuk e kanë mbyllur hendekun në dallimet e opinioneve midis Izraelit dhe Hamasit dhe se gjenocidi në Gaza mund të përfundojë vetëm përmes negociatave dhe diplomacisë.