(VIDEO) Copëtim i Aleancës së Taravarit, disa dalin nga qeveria, disa mbeten

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit nuk po gjen qetësi pasi shumë figura drejtuese të saj janë larguar nga partia, e disa të tjerë nga postet qeveritare. Gjatë ditës së djeshme nga pozita e deputetit të ASH-së dha dorëheqje Salim Sulejmani, ndërsa më vonë me një video drejtuar opinion doli zv/kryeministri, Arben Fetai, duke thënë se rruga e ASH-së nuk kalon kah Ali Ahmeti dhe se nuk do të lejojnë të kthehet BDI-ja. Ndërsa, sot nga posti i zv/ministres së Mbrotjes ka dhënë dorëheqje, Elfete Ismaili.
MARKETING
Ngjarjet e fundit në ASH i ka komentuar edhe koalicioni VLEN.
VLEN
“Sikurse deputeti Sulejmani janë të mendimit pjesa dërrmuese e strukturës së Aleancës për Shqiptarët dhe dorëheqjet kanë filluar të shfaqen në mënyrë masive, kjo sepse votuesi i ASH-së nuk e gëlltit vajtjen në prehrin e Ali Ahmetit vetëm për shkak të pazareve të Taravarit”.
E, ish bashkëpartiakëve të tij, ju ka komentuar ish kryetari i tyre, Arben Taravari, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale tha se “Rruga e dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri”.
ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Rruga e Arbën Xhaferit nuk kalon nga Qeveria që të quan 20%. Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke kërcënuar me burgje shqiptarët! Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke shitur pozitën e deputetit për të shkuar ambasador n’Arabi. Rruga e Dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri”.
Situata në ASH nuk mbaron me kaq. Gjatë ditës së djeshme deputeti i ASH-së, Garib Kaba, njoftoi se policia ka arrestuar dy djemtë e tij për shkak, siç tha ai, “gjoja kërcënimit ndaj ish deputetit Salim Sulejmani”. Kaba informacionet e policisë i quajti shpifje dhe tha se regjimi hibrid ka filluar me përndjekje. Me fjalë pothuajse të njejta, këtyreve të fundit ju doli në mbrotje edhe vet partia Aleanca për Shqiptarët.
Kujtojmë, se të shtunën disa eksponentë të ASH-së, Arben Fetai, Feta Alimi dhe Azir Aliu, të pakënaqur me vendimin e Taravarit që u largua fillimisht nga VLEN-i, e më pas edhe nga qeveria, ishin në Prishtinë, ku takuan kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Samir Mustafa /SHENJA/