(VIDEO) Rikonstruimi i Qeverisë fillon javën e ardhshme

(VIDEO) Rikonstruimi i Qeverisë fillon javën e ardhshme

Situata rreth ndryshimeve në koalicionin qeveritar, pas daljes të Aleancës për Shqiptarët nga qeveria, pritet të qartësohet gjatë javës së ardhshme. Kështu deklaroi sot kryeministri, Hristijan Mickoski, i cili tha se nga java e ardhshme do të zhvillohen aktivitetet për nominimin e funksioneve që deri më tani i kanë kryer kuadro të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravarit. I pyetur në lidhje se a do të mbeten te VLEN-i resorët që deri më tani kanë qenë nën udhëheqjen e Aleancës për Shqiptarët, Mickoski tha se edhe kjo do të bëhet e qartë javën e ardhshme ndërsa shprehi bindjen se do të arrihet marrëveshje.

MARKETING

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

Mbrëmë në Komitetin Ekzekutiv të rregullt folëm për situatën ekonomike dhe politike në shtet. Pres që deri në fund të muajit të dal para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv me propozime për kandidatë për kryetar komunash ndërsa më pas ajo do të shkojë në Komitetin Qendror. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv më kanë autorizuar që në periudhën që vjen të nominojmë emra të ri që do t’i zëvendësojnë ato që vendosën të shkojnë në përqafimet e Ali Ahmetit dhe të BDI-së, përkatësisht nga partia e Arben Taravarit”.

Nga ana tjetër, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN tha se, janë të gatshëm të bisedojnë me partnerët qeveritar për kombinime të reja. Në lidhje me deklaratën e djeshme se VMRO – DPMNE dhe VLEN do të këmbejnë Ministria e Arsimit me atë të Shëndetësisë, Kasami tha se, momentalisht nuk ka bisedime për një gjë të tillë dhe se atë e ka thënë vetëm si një opsion që mund të shqyrtohet.

Bilall Kasami, VLEN

Për t’u sqaruar, nuk ka bisedime për këmbim të ministrive. Unë dhashë një deklaratë se, një ndër shkaqet që e kemi marrë Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë se, drejtpërsëdrejti Arben Taravari ka kërkuar që të jetë ministër i Shëndetësisë dhe sigurisht kur të bëhen kombinatorikat për përgjegjësitë që duhet të ndahen bëhet edhe në bazë të kapaciteteve të kuadrove që i kemi. Unë e thash si një mundësi që nëse do të ketë nga VLEN ndonjë kombinatorik për ndonjë kuadër tjetër që do të jetë i rëndësishëm do ta bisedojmë me qeverinë që të ketë rrokadë”.

Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët e Taravarit të hënën mbajti mbledhje me organet partiake ku vendosën që të dalin nga Qeveria. Kjo parti ka pasur pozitat e një zëvendëskryeministri, një ministri dhe dy zëvendësministra.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING