(VIDEO) Mickoski paralajmëron takim me familjarët e të vdekurve në “Puls”

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se ai personalisht do të takohet me prindërit e të vdekurve dhe të lënduarve nga tragjedia në Koçan, duke u përgjigjur në pyetjen se a do të ndihmojë qeveria familjet e prekura nga kjo tragjedi.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Do të bëj gjithçka që mundem dhe do të flas personalisht si me prindërit e të lënduarve ashtu edhe me ata që humbën tragjikisht të dashurit e tyre. E gjithë Maqedonia ende po vuan dhe kjo nuk do të jetë një dhimbje që do të mbarojë ndonjëherë, por ne duhet ta përballojmë atë dhe t’i zgjidhim gjërat, ato nuk mund të zgjidhen vetë. Jam i vetëdijshëm se do të ketë struktura të tilla politike që me shumë mundësi do të përpiqen të fitojnë pikë politike nga tragjedia e këtyre njerëzve, por kjo është gjithashtu pjesë e jetës sonë”.
Lidhur me akuzat e opozitës se po zhvillohet një hetim selektiv, Mickoski tha se hetimi po zhvillohet nga Prokuroria dhe se ai as nuk ka kontaktuar dhe nuk ka komunikuar me asnjë prokuror.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kjo pyetje duhet t’i drejtohet prokurorisë sepse hetimin po e udhëheq prokuroria , jo qeveria, jo unë. Ne nëpërmjet Ministrisë së Brendshme veprojmë sipas kërkesës së Prokurorisë Publike. Kërkesa e prokurorisë drejtuar Ministrisë së Brendshme është përmbushur në po atë moment. Nuk do të ndërhyj në hetim, as nuk kam telefonuar askënd dhe as nuk kam komunikuar me askënd nga prokuroria, me qëllim që të mos rezultojë se kryeministri po ushtron presion mbi hetimin”.
Mickoski u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesëve politikë që të mos ndërhyjnë dhe t’i lënë gjykatësit dhe prokurorët të kryejnë punët e tyre.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/