Siljanovska-Davkova: Deklarata e Ahmetit është presion mbi gjyqësorin dhe një moment dobësie, zgjedhjet e parakohshme janë absolutisht të panevojshme

Presion mbi gjyqësorin dhe një moment dobësie, është vlerësimi i presidentes, Gordana Siljanovska-Davkova për deklaratën e liderit të BDI-së Ali Ahmeti i cili tha se nëse do të dalë në rrugë, nuk do të ketë kthim prapa derisa të iniciojë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, nëse ngrihen akuza kundër ish-ministrit Kreshnik Bekteshi për tragjedinë në Koçan.
“Ndryshe nga zoti Ahmeti, unë do t’i mat fjalët e mia, nuk dua të ndërhyj në gjyqësor, por e dini çfarë, të gjithë, përfshirë Ahmetin dhe BDI-në, kanë kërkuar vazhdimisht pavarësinë e gjyqësorit, por një fjalim i tillë në fakt do të thotë presion mbi gjyqësorin. Nuk dua të jap një vlerësim për kualifikim, ndoshta është një moment dobësie, për të mos thënë një moment ndershmërie, por besoj se 30 vjet më vonë, dhe veçanërisht 20 vitet e BDI-së në pushtet, duhet të respektohet parimi i ndarjes së pushteteve ose partitë duhet të qëndrojnë anash”, thotë Siljanovska-Davkova.
Presidentja thotë se shpesh është e pamundur të dallosh vijën e hollë ku është kufiri i partive dhe ku fillojnë institucionet shtetërore, dhe se shtetet ku partitë ndonjëherë paraqiten sikur janë institucione shtetërore, gjë që nuk është kështu, quhen partitokraci, dhe ky nuk është një model demokratik.
“Ahmeti ka kërkuar shumë herë veting, vetingu është në funksion të kryerjes cilësore të funksioneve, përfshirë edhe gjykatën. Shpresoj që kjo të ketë qenë vetëm një deklaratë dhe që Ahmeti dhe BDI, të cilët ishin në pushtet për shumë vite, të kenë mësuar se institucionet duhet të respektohen dhe se gjykata është ajo që do të vendosë nëse kanë gabuar apo jo. Nuk po flasim vetëm për një person që u gjend në gjykatë, prezumimi i pafajësisë vlen për të gjithë”, tha Siljanovska.
Presidentja tha se nuk ka absolutisht asnjë nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari largohet nga Qeveria.