(VIDEO) Mickoski i ashpër me Taravarin: Nuk pranoj bashkëpunim me BDI-në

Takimi i shumëpritur mes kryeministrit Hristijan Mickoskit dhe Arben Taravarit, do të mbahet të hënën. Këtë e konfirmoi vetë kryeministri. Ende pa u mbajtur takimi, Mickoski e bëri të qartë se bashkëpunimi me BDI-në, për të është i papranueshëm. Nëse Taravari dhe BDI tha se mbështesin njëra tjetrën në disa komuna në zgjedhjet lokale, ai si kryeministër nuk do ta pranoj, prandaj tha se për këtë nga Taravari do të kërkoj që ta qartësoj këtë gjë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Në atë takim dua të dëgjoj qëndrim të qartë të cilin do ta dëgjojnë edhe mediat se a është e vërtetë se ka marrëveshje mes partisë së tij dhe BDI-së, se së paku në 5 ose 6 komuna, ku ai do të nxjerrë kandidatë, BDI nuk do të nxjerrë kandidatë, që fillimisht don të thotë poshtërim i vetes së tij si parti politike dhe e dyta që qetësisht do ta mbështes. Kjo për mua si kryetar i Qeverisë është e papranueshme”.
Edhe pse Taravari nuk është më “i dëshirueshëm”, brenda koalicionit VLEN, gjë e cila u tregua edhe në ngjarjen e së shtunës në vendosjen e gurthemelit në autostradën Tetovë-Gostivar, ku liderët e koaliconit VLEN as nuk u përshëndetën dhe as nuk qëndruan afër me Taravarin, ky i fundit ende nuk e ka shkëputur veten nga koalicioni. Partia e Taravarit ka vendosur që në zgjedhje lokale të dalë me lista të veçanta, ndërsa për kryetar komunash kanë thënë se do të bashkëpunojnë me të gjitha partitë.
Emine Ismaili /SHENJA/