(VIDEO) Korridori 8 edhe sot përplas partitë shqiptare

Kanë vazhduar edhe sot përplasjet politike mes partive politike shqiptare. Koalcioni VLEN ka kumtuar se me ardhjen e tyre në pushtet, shqiptarët janë pjesë e denjë e institucioneve dhe se po realizohen projektet me interes publik.
Nga ky koalicion thonë se para se ata të vitin në pushtet, “BDI non grata” u përpoq ta trembte popullin me gënjeshtra se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të shfuqizohej, se ndërtimi i Korridorit 8 do të ndalej.
VLEN
“Sot, pas gati një viti qeverisjeje të VLEN-it, çdo qytetar mund ta shohë qartë: asnjë nga këto gënjeshtra nuk qëndroi. Ligji për Gjuhët është më i garantuar se kurrë. Korridori 8 është në rrugën e duhur me standarde të larta dhe pa skandale korrupsioni. Reformat po ecin përpara dhe shqiptarët janë një pjesë e denjë e institucioneve. Gënjeshtrat e BDI non grata u lanë pas dore. Ajo që ka mbetur prej saj është vetëm një zë i dëshpëruar opozitar që jeton me frikën e drejtësisë dhe kujtimin e pushtetit që përdori për pasurim personal”
Pas kësaj, me reagim të menjëhershëm ka dalë Bashkimi Demokratik për Integrim, nga ku thonë se VLEN, nga sabotues koalicioni në pushtet u shndërrua në përvetësues.
Thonë se në kohën kur BDI-ja angazhohej për ndërtimin e Korridorit 8, VLEN shkoi aq larg, sa akuzonin edhe aleatët tanë strategjikë — Shtetet e Bashkuara të Amerikës — për përfshirje në një “plan të errët”.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Kur ne nënshkruam marrëveshjen, ata na akuzuan për marrëveshje kriminale dhe korruptive. Kur filluan punimet, mobilizuan çdo mjet për të na ndalur — me deklarata, fushata, bllokime dhe propagandë të hapur. Por më e rrezikshme dhe e turpshme ishte se nuk e luftuan vetëm si projekt ‘të shtrenjtë’ apo ‘të dyshimtë’. E shpallën si rrezik për identitetin kombëtar. Si pjesë të një projekti të rrezikshëm për Shqipëri të Madhe. Sot fotografohen para këtij projekti si të ishte i tyre. Sot përpiqen ta shesin si arritje personale, si fitore politike. Kjo nuk është politikë, kjo është mungesë karakteri”
Dje krerët e Qeverisë po edhe të koalicionit VLEN nën shoqërim të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Ageeler vendosën gurthemelin e autostradës së re që lidh Tetovën dhe Gostivarin, autostradë kjo që bën pjesë në Korridorin 8.
Mevludin Imeri /SHENJA/