(VIDEO) Hapet festivali i 32-të pranveror “Hidrellez”

Në qytetin e Vallandovës në Maqedoninë e Veriut u hap Festivali i 32-të Pranveror “Hidrellez”.
Ceremonia e hapjes së manifestimit që është në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s u mbajt në fshatin Çallakli të Vallandovës, ku morën pjesë ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, nënkryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Dr. Mahmut Çevik, ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, kryetari i Komunës së Vallandovës, Pero Kostadinov, deputetë dhe politikanë turq nga Maqedonia e Veriut, përfaqësues të organizatave të ndryshme nga Türkiye, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend si dhe banorë të rajonit.
Ambasadori Ulusoy përcolli përshëndetjet e presidentit Rexhep Tajjip Erdoğan dhe falënderoi të gjithë palët që kontribuan në organizimin e festivalit. Ai theksoi se ardhja e pranverës festohet me entuziazëm në shumë vende nga Anadolli në Ballkan, nga Kaukazi në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.
FATIH ULUSOY, AMBASADOR TURK NË SHKUP
“Maqedonia e Veriut përmban çdo element të Ballkanit dhe është një shembull për Ballkanin dhe botën me kulturën e bashkëjetesës paqësore mes komuniteteve”.
Nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik, tha se këto festime, të cilat filluan në vitin 1991 pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ofrojnë përfitime serioze në drejtim të forcimit të identitetit dhe rritjes së solidaritetit.
DR. MAHMUT ÇEVIK, NËNKRYETAR I TIKA-S
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Festivalin Ndërkombëtar Pranveror “Hidrellez”, të cilin e kemi mbështetur vazhdimisht për 20 vitet e fundit, sepse këto festivale duhet dhe do të vazhdojnë si një aktivitet kuptimplotë që mishëron detyrimin tonë për ekzistencë, unitet dhe solidaritet”.
Çevik tha se TIKA do të vazhdojë aktivitetet e saj për të mbrojtur trashëgiminë kulturore në Ballkan.
Kryebashkiaku Kostadinov vuri në dukje gjithashtu se festivali nxjerr në pah kulturën, traditën dhe shkëlqimin e komunitetit vendas dhe theksoi se ai bashkon traditat shekullore të dy popujve miq, të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Türkiyes.
“Ky festival feston jetën, mirëpret pranverën dhe uron mirëqenie dhe shëndet të mirë për çdo person”, u shpreh ai. Kryetari i festivalit, Şenol Tahir, falënderoi Türkiyen për mbështetjen e saj ndaj kulturës së festivalit që ka vazhduar prej vitesh.
Në festival performuan ansamble vallesh popullore nga Türkiye dhe vendet e Ballkanit, ndërsa interes tërhoqi edhe mundja tradicionale.
Si pjesë e programit, ku u shpërndanë pllaka mirënjohjeje për individë dhe institucione që kontribuan në organizimin e festivalit, u vizitua ekspozita e ngritur në shkollën e fshatit.
Festivali, i cili filloi dje nën patronazhin e Ministrive të Kulturës dhe të Turizmit të Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes dhe i mbështetur nga TIKA dhe Halkbank Shkup, si dhe shumë institucione dhe organizata të tjera, do të përfundojë më 7 maj. Festivali Pranveror në Hidrellez u shtua në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s në vitin 2017 me iniciativën e përbashkët të Türqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Mevludin Imeri /SHENJA/