(VIDEO) Snopçe: Jemi të gatshëm edhe për opozitë, pa ASH-në qeveria jostabile

Aleanca për Shqiptarët nuk ka pasur ftesë për të marrë pjesë në takimin e djeshëm të partive të VLEN në të cilën u diskutua që VLEN të bëhet një parti.
Këtë e thotë deputeti i Aleancës, krahu i Taravarit, Halil Snopçe, i cili theksoi se nuk e di as çfarë vendime ka marrë kryesia e VLEN në mbledhjen e djeshme.
Thotë se do të vazhdoj të mbetet koordinator i grupit parlamentar të VLEN deri në momentin kur të ketë kërkesë zyrtare në Kuvend nga pjesa tjetër e deputetëve për ndarje.
HALIL SNOPÇE, deputet
“Në momentin që po flasim jam koordinator i grupit parlamentar të VLEN e cila përbëhet nga 14 deputet. Megjithatë në çdo moment mund të ndryshojë, mund të ndryshojë edhe pas 5 minutash, nuk e di. Gjithçka varet nga vendimi i tyre. Nuk e di çfarë vendimi kanë marrë dje dhe nuk e di nëse kanë bërë kërkesë deri tek kryetari i Kuvendit për tja treguar vendimin e tyre. Duhet ti drejtohen kryeparlamentarit me nëntë nënshkrime se kanë formuar grup të ri parlamentarë dhe me automatizëm nënkuptohet se pastaj ne do të veprojmë si grup i veçantë parlamentarë”.
Shton se si parti, janë të gatshëm për çdo vendim. Sipas Snopçes ASH-ja është e gatshme edhe për opozitë, por deklaron se Qeveria do të jetë jo-stabile pa ASH-në.
HALIL SNOPÇE, deputet
“Për ne nuk përbën problem edhe nëse jemi në opozitë. Megjithatë, ka një konstatim të përgjithshëm se nëse ASH-ja është jashtë Qeverisë atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të paevitueshme. Pavarësisht se Qeveria i ka numrat edhe pa ASH-në por ajo Qeveri do të jetë jo-stabile me vetëm nëntë deputet shqiptar”.
Përndryshe, tre partitë që përbëjnë koalcionin VLEN mbrëmë janë takuar dhe pas takimit deklaruan se është marrë vendimi për nisjen e shkrirjes së tre partive në VLEN.
Mevludin Imeri /SHENJA/