(VIDEO) LSDM akuzon qeveritarët se favorizojnë familjarët

Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska pretendon se zyrtarët dhe familjarët e zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së nuk janë të barabartë para ligjit. Ajo në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se vëllai i kryetarit të komunës së Gazibabës Boban Stevkovski, Dalibor Stevkovski nuk është dënuar nga policia, pasi që radari i policisë e ka regjistruar duke vozitur me shpejtësi më të madhe se e lejuara. Ajo thotë se më 20 prill të këtij viti në ora 18:31, në bulevardin Aleksandri i Maqedonisë në Shkup, policia nëpërmjet radarit ka regjistruar veturë që ka vozitur me shpejtësi shumë më të madhe se e lejuara, në pronësi të Dalibor Stevkovskit.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Në mes të Shkupit, vëllai i kryetarit të komunës po ‘fluturonte’ me 88 km/orë edhe pse shpejtësia e lejuar është 50. Denoncuesit nga Ministria e Brendshme na siguruan një video-regjistrim nga radari i Stevkovskit në të cilën qartë shihet se sa ka vozitur Stevkovski në mes të Shkupit. Policët e kanë ndaluar që ta dënojnë për vozitje të shpejtë por atëherë Dalibor Stevkovski ka telefonuar dikë në MPB dhe vetëm për një minut një komandant i MPB-së i është paraqitur policëve dhe i ka urdhëruar që vëllai i kryetarit të komunës së Gazibabës të mos dënohet”.
Sipas Kuzeskës, gjoba iu dha një personi me inicialet S.J. sipas dokumentacionit nga denoncuesit.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Për shkak se shkelja e ligjit është regjistruar, ata u urdhëruan që dënimin t’ia shkruajnë dikujt tjetër. Dënimi i është dhënë personit me inicialet S.J. Për çdo ditë njerëzit humbin jetët për shkak të vozitësve të pandërgjegjshëm. Çfarë bëjnë Toshkovski dhe MPB-ja, në vend që të sigurojnë respektimin e ligjit, ata mbrojnë shkelësit vetëm sepse janë zyrtarë të VMRO DPMNE-së. ‘Edhe po të jetë vëllau im, do të mbajë përgjegjësi’ është gënjeshtra më e madhe që e ka thënë Toshkovski, ligji për ato nuk vlen”.
LSDM kërkoi nga institucionet kompetente hetimin e këtij rasti. “ Nëse nuk ka përgjegjësi për vëllanë e një zyrtari, çfarë duhet të presin qytetarët kur bëhet fjalë për zyrtarë të rangut të lartë”, tha Kuzeska.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/