(VIDEO) VLEN e konsideron ofertë të turpshme kërkesën e BDI-së për zgjedhje të parakohshme

(VIDEO) VLEN e konsideron ofertë të turpshme kërkesën e BDI-së për zgjedhje të parakohshme

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, për shkak se sipas tyre, kjo Qeveri po e çon vendin në drejtim të gabuar, ndaj dhe qytetarët kanë nevojë për një rishqyrtim politik. Përmes një komunikate ata kanë thënë se në çështjet kyçe me interes strategjik, Qeveria përballet me një dështim të plotë në prioritetet që vetë i paraqiti si interes shtetëror.

Të nxitur nga motive populiste në prag të zgjedhjeve lokale, sipas BDI-së Qeveria e hoqi plotësisht dosjen evropiane të vendit dhe mundësinë për të vazhduar negociatat me BE-në.

Bashkimi Demokratik për Integrim

“Në fjalimet e tij populiste dhe emocionale, kryeministri jo vetëm që refuzon mundësinë e plotësimit të Kushtetutës me disa pakica, por edhe krenarisht e paraqet si suksesin më të madh politik të vendit shmangien e detyrimeve ‘Erga omnes’ që rrjedhin nga marrëveshjet strategjike me Greqinë. Kjo vetëm tregon se presioni publik i zgjedhjeve e ka larguar plotësisht Qeverinë nga dosja evropiane, e cila vetë e ka quajtur ‘Prioriteti numër një’. Kjo gjendje jo normale krijon një nevojë të qartë dhe të pamohueshme tek qytetarët për rishqyrtim politik të Qeverisë”.

Kundrejt kësaj ka reaguar VLEN duke thënë për BDI-së se pasi për 20 vjet vodhën, mashtruan dhe shkatërruan çdo shpresë shqiptare, tani ende dalin pa pikë turpi e kërkojnë që qytetarët t’u japin edhe një shans! Ata vlerësojnë se VLEN është përgjigja e shqiptarëve ndaj kësaj politike të kalbur për të zbatuar ndryshim.

Koalicioni VLEN

“Ata që për dekada e përdorën pushtetin për interesa personale, sot, të frustruar dhe të zbuluar para qytetarëve, kërkojnë të kthejnë kohët e vjetra të kapjes dhe shantazhit. BDI që çdo institucion shndërroi në degë partie, që nënçmuan intelektualët, që ia dorëzuan të drejtat shqiptare pazareve të ulëta, sot kanë frikë nga drejtësia. VLEN është në qeveri për të zbatuar ndryshimin që shqiptarët e kërkuan me zë të lartë dhe nuk do të ndalet deri sa secili shqiptar të ndjehet i lirë, i barabartë dhe me dinjitet në vendin e vet”.

Ata bindshëm thonë se në tetor, në zgjedhjet lokale, VLEN do t’i fitojë të gjitha komunat shqiptare,  do të jetë në çdo komunë, në çdo institucion, me duar të pastra dhe me fytyrë të bardhë para qytetarëve, duke shtuar se koha e BDI-së ka marrë fund dhe se era e ndryshimit ka filluar.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING