Taravari takon dhe falënderon homologun turk: Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira

Në kuadër të Samitit të “Balkan Health Business Forum” në Edirne, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Shëndetësisë së Turqisë, Prof. Dr. Kemal Memişoğlu.
Duke i përshëndetur të pranishmit në gjuhën turke, përfshirë Guvernatorin e Edirnesë, z. Yunus SEZER dhe Ministrin turk të Shëndetësisë, Prof. Dr. Kemal MEMİŞOĞLU, Taravari theksoi lidhjet e forta midis dy vendeve.
Në fjalimin e tij, ai bëri të ditur se gjatë vitit 2024, 165 pacientë nga Maqedonia e Veriut u trajtuan në institucione shëndetësore në Turqi, falë teknologjisë së avancuar dhe kujdesit të jashtëzakonshëm të profesionistëve turq. “Çdo pacient është një histori shprese dhe një jetë e shpëtuar”, u shpreh ministri, duke shtuar se Turqia përfaqëson një model unik që kombinon cilësinë e lartë mjekësore me mikpritjen tradicionale.